Saranda, qyteti bregdetar ku janë dhënë më shumë leje ndërtimi

“4068 leje për ndërtesa të reja janë dhënë gjatë periudhës 2017-2020, mesatarisht mbi 1000 leje të miratuara për çdo vit. Tirana kryeson edhe listën me më shumë leje të miratuara këtë katërvjeçar me 1355 të tilla.”

Pjesa më e madhe e lejeve të miratuara gjatë kësaj periudhe janë për ndërtesa banimi duke bërë që në këtë periudhe 4-vjeçare të miratohen gjithsej 2 695 leje për këtë qëllim.

Ndërsa pjesa tjetër janë leje të dhëna nga bashkitë e vendit për hotele, zyra, ndërtesa tregtare dhe për qëllime të tjera.

Sa i takon lejeve të dhëna për hotele dhe struktura të tjera akomoduese në vitet 2017-2020 janë përqendruar kryesisht sipas Instat në zonat bregdetare, ku kryeson bashkia e Sarandës dhe ajo e Kavajës, teksa në zonat jo bregdetare dominon Tirana dhe rajoni i Korçës.

Ndërsa vetëm një vit më parë bashkitë e vendit miratuan në total 961 leje për ndërtesa e godina të reja në të gjithë vendin, duke shënuar një rënie në raport me 2019-ën, ku vetëm në qarkun e Tiranës sipërfaqja e dhënë kapërcente 1.1 milionë m2.

Pas vitit të shkuar pandemik, këtë vit duke se ndërtimi është rikthyer vrullshëm pasi vetëm për 9-mujorin lejet për ndërtesa të reja kanë arritur në 1040 nga 655 që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-ës, ndërsa nuk janë pasqyruar ende statistikat për tremujorin e fundit të vitit.

Ndikim në rritjen e numrit të lejeve ndërtimore ka dhënë edhe procesi i rindërtimit kryesisht në bashkitë e prekura nga tërmeti i nëntorit të 2019 si në qarkun e Durrësit apo të Lezhës ku u regjistruan edhe dëmet më të mëdha në banesa.