Kardhiq-Delvinë përfundon në KPP – Dy kompani kontestojnë tenderin

Një prej procedurave të prokurimit publik për aksin rrugor Kardhiq-Delvinë është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, teksa konsorciumi i 2 kompanive kundërshton vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke kërkuar anulimin e tij. Bëhet fjalë për  lotin 8 të kësaj rruge, me fond limit 281 mln lekë, që u zhvillua gjatë muajit nëntor të këtij viti.

Sipas dokumentit operatorët ankimues nuk janë dakord edhe me vlerësimin e pikëve për ofertën e tyre, ndërsa ngrejnë pretendime për mospërmbushje nga ana e operatorit ekonomik fitues të kritereve të tenderit. Do të jetë vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë se cila nga palët ka të drejtë, por ndërkohë kjo ankesë ka sjellë të tjera vonesa në përmbylljen e punimeve në këtë aks rrugor.

Kardhiq-Delvinë është ndër akset e vetëm rrugorë që qeveria shqiptar po ndërton me fonde të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit, dhe jo përmes një partneriteti publik privat.

Ai ka një gjatësi totale prej  33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por deri më tani janë përfunduar rreth 16 km rrugë dhe 14.5 km të tjerë janë në fazën e zbatimit të punimeve. Në vitin 2019 autoritetet parashikonin përfundimin e punimeve përpara vitit 2021, por pavarësisht kësaj aksi ende nuk është i hapur për kalimin e automjeteve.