Grafika e audiencës/ Në Sarandë ndjekin më shumë Berishën se sa “Big Brother”

Për hir të shifrave kokëfortë duhet pranuar se sot “Big Brother” e ka thyer një audiencë, atë sociale.

Në emisionin ku gjen edhe debatin edhe melodramën edhe logjikën edhe paaftësinë, por edhe vendin ku gënjeshtrat mes banorësh shiten më mirë, audienca është bërë agresive.

Si për ironinë e fatit, një audiencë po aq të madhe dhe “dhëmb për dhëmb” me “Big Brother“ ka pasur edhe një ngjarje që u zhvillua të hënën në selinë e Partisë Demokratike.

Nëse do të analizojmë të dhënat e “Terra Data Analytics”, (kompani e analizimit të të dhënave digjitale), drejtuar nga Blerim Gjeladini i cili ka bërë një krahasim nga kërkimet në Google dhe në mediat sociale për orarin pik kur Sali Berisha hyri me anëtarët e komisionit të Rithemelimit në PD (ora 2.31pm me 3.25pm) me komentet për “Big Brother” rezultati është i habitshëm.

“Big Brother” në  selinë blu ka konkurruar bindshëm formatin argëtues që jepet dy herë në javë në Top Channel dhe çdo orë të ditës e natës në DigitAlb.

Hyrja e Sali Berishës në selinë e PD-së ka pasur po aq impakt sa edhe hyrja e një banori të ri në “Big Brother”, apo dalja e ndonjë tjetri.

Edhe pse rezultati krahasues nuk perputhet me kohën kur jepet ‘prime time’ Big Brother (atëherë kur edhe fluksi është më i madh),  krahasimi mes dy ngjarjeve që në dukje nuk kanë asfare lidhje me njëra tjetrën është konkurrues.

Më të kuqe është shënuar audienca e Big Brother. ndërsa me blu ajo e Sali Berishës.

Me të verdhë Lulzim Basha.

Matjet janë kokë më kokë. Koha kur Berisha hyn në seli, nuk gjen fillimisht karrigen në zyrën ku rehatohet më pas, kur mbledh për disa minuta komisionin dhe më vone jep një konferencë të gjatë për shtyp ku sulmon atë që e promovoi vetë në politikë ,Lulzim Bashën,  është po aq tërheqës për audiencën sa edhe debati për çiftin në “Big Brother” Beatrix-Donald.

Interneti me aftësinë e vete për të lidhur te gjithë me të gjithë na ka dhënë një panoramë të qartë se edhe në politikë në një farë mënyre ngjarjet zhvillohen si në ‘Big Brother’ me po aq konfliktualitet, debat, dhe ndezës sa ajo mes një grupi banorësh.

 

 

Interesante është edhe harta që e shoqëron grafikun.

Berisha ka mbushur audiencën blu në zonat Malësi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Kurbin apo Mirdite, ndërsa “Big Brother” që jepet në “TCH“ ka audiencë paralele (ora 2.31 pm-3.25pm e ditës së hënë 13 dhjetor ) në Durrës, Tiranë, Krujë, Kavajë, Elbasan, e më në juglindje në zonën e Korcës, Pogradecit, Devollit dhe Ersekës.

Berisha ka “marrë” edhe Fierin, Vlorën dhe Sarandën ndërsa nuk ka ndonjë tërheqje audience për asnjërën nga palët (në atë fashë orari) në zonat e Skraparit, Tepelenës, Përmetit për të zbritur në Gjirokastër…

Pak rëndësi kanë fjalët dhe ajo që përcjell. Syri në këtë rast beson atë që sheh. Dhe ajo që pa të hënën audienca e Sali Berishës ishte po aq melodramë sa ajo që ndodh herë pas here në “Big Bother” . Dhe kësi ngjarjesh turmat i tërheqin.

Sa për Lulzim Bashën, audienca ndaj tij (të hënën) ishte e dobët në mos jo konkurruese

Nëse do të hiqnim një paralele me “Big Brother” në këtë rast Lulzim Basha do të ishte banori më pak i kuotuar.

Të paktën për audiencën sociale…

Sepse në fund të fundit, ashtu si edhe në “Big Brother” ku kanë rëndësi mesazhet përmes telefonit se kush është banori më i preferuar, edhe në PD kanë rëndësi numrat se sa mbështetje ka njëri apo tjetri.

Berisha gjithsesi e ka fituar një betejë me Bashën. Atë tashmë e konkurron vetëm “Big Brother”, një emision që ka si qëllim në thelb argëtimin…/SI/