Aida Demi, drejtore e ASHK Sarandë: Sfidë e punës sime, zgjidhja në kohë e shqetësimit të qytetarit

Nga Shpresa Dine

Vetëm 3 muaj në krye të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë Aida Demi ka synime dhe objektiva të qarta, përvecse sherbimi në kohë i zgjidhjes së problemeve të qytetarit të jetë primar, sfidë e saj është edhe ndryshimi i imazhit të institucionit.

Në intervistën për Sarandalife drejtoresha Aida sjell me detaje cfarë risie do të sjellë ajo në institucion, natyrisht e ndjekur edhe nga stafi.

Zonja Aida ju vini në krye të Kadastrës në Sarandë pas një përvoje të gjatë në bashki dhe njihni shumë mirë biznesin, si e gjetët performancën në Kadastër?

Përvoja në Bashki dhe në biznes është një shtysë që më ka dhënë mundësinë të njoh si pjesën administrative formale juridike për të cilën kam dhe përgatitjen time profesionale, por mbi të gjitha edhe atë që është shumë e rëndësishme, komunikimin me qytetarin dhe trajtimin e çdo kërkese sipas rregullave dhe ligjit në kohën e duhur dhe optimale. Në këtë kuadër për mua prioritet në drejtimin e Kadastrës është rritja e imazhit institucional në nivelin e nevojshëm të kërkuar nga titullari, Drejtori i Përgjithshëm dhe nga vetë Qeveria, por mbi të gjitha si një kërkesë legjitime e të gjithë qytetarëve ta marrin sherbimin mirë dhe në kohë. Ky është prioriteti i punës time në këtë institucion dhe shpresoj që të jem në lartësinë e duhur edhe pse për arësye të ditura mundet që koha për të realizuar objektivin e plotë do të vijë gradualisht edhe në mbështetje si të vullnetit por edhe gjithë procesit të dixhitalizimit që tashmë ka filluar të ndodhë.

Natyrisht që ju e dini se institucioni i ri që drejtoni ka problematika shumë të mprehta, si keni menduar t’i ndryshoni ?

Sigurisht unë nuk mohoj problematikat. Ato janë aty e presin për t’u zgjidhur dhe sfida është për të dhënë zgjidhje optimale dhe në kohë për qytetarët duke dëgjuar të gjitha kërkesat e tyre për t’i adresuar ato sa më mirë.

A keni gjetur në këtë institucion një ekip të motivuar dhe përkushtuar për të kryer sic duhet detyrat nga secili prej tyre ? 

Përsa i përket ekipit është shumë herët për të folur. Unë kam vetëm 3 muaj në drejtim të këtij institucioni. Që të njohësh ekipin do një kohë më të gjatë. Koha në dispozicion të një drejtuesi shkon 9 muaj apo edhe 1 vit. Unë jam shumë kërkuese në vetë mënyrën e të punuarit dhe si e tillë kërkoj që edhe gjithë stafi im të jetë në lartësinë e duhur. Se nëse nuk realizoj këtë kërkesë, që është celësi i suksesit për gjithë institucionin që unë drejtoj, atëherë sigurisht që do të duhet të përballemi me gjithë procedurat e brendëshme administrative në vecanti nëse kërkesat e qytetarve nuk janë ndjekur në kohën e duhur dhe me përpikmëri ligjore. Absolutisht mendoj që kemi kohë për të parë por kërkesa e llogarisë do të jetë e shtuar në mënyrë të padiskutuar

Kadastra është një institucion i përgojuar dhe qytetarët kanë shumë pretendime se nuk priten mirë dhe vonohen pafund për të zgjidhur regjistrimin e pronës, si keni menduar ju për ta ndryshuar këtë imazh?

-Kadastra është një institucion që ka reputacion sepse ka një ngarkesë emocionale që lidhet me cështjen e pronësisë por mbi të gjitha edhe me vonesat që kanë ndodhur deri tani. Por duhet thënë edhe fakti se vonesat mund të jenë deri diku legjitime, sepse ka kërkesa qytetarësh të pa plotësuara me tē gjithë dokumentacionin perkatës. Madje ka disa kërkesa që kanë nevojë për fonde buxhetore që nuk varen nga zyrat e Sarandës, sikurse ka edhe burokraci, të cilat unë nuk i mohoj që egzistojnë dhe jo pa qëllim kam vendosur që ashtu sic i kemi shpërndarë edhe në faqen e Fb tonë të DVASHK Sarandë, të realizoj edhe dy ditë në javë takim me qytetarët si për problemet e Aluiznit ashtu edhe të hipotekës. Këto takime kanë dhënë rezultat si për qytetarët ashtu edhe për Institucionin, pasi u kemi dhënë zgjidhje disa problemeve të prapambetura, të cilat ne i kemi quajtur “ Histori Suksesi”.

Dihet se përgojimi për korrupsion është shumë i përhapur, ju vet si drejtuese dhe juriste si keni gjykuar për ta shëndoshur këtë gjendje dhe perceptim ?

-Eshtë e padiskutueshme që regjistrimi i pronës nuk është një problem vetëm i Sarandës por i gjithë Shqipërisë. Vijmë me një histori 30 vjecare të ligjeve, të cilat kanë krijuar dhe mbivendosje, apo edhe lëvizja demografike, që natyrisht ka krijuar probleme edhe për Kadastrën. Por kjo është e pajustifikueshme për të ndikuar në imazhin e institucionit që unë drejtoj dhe me përpjekjen maksimale që ky imazh të ndryshojë. Nuk mendoj që është vetëm përgjegjësia e imazhit institucional por mendoj që është dhe një proçes tranzicioni shumë i gjatë, ku të gjithë faktorët e përfshirë dhe qytetarët, të cilët janë në proçes sidomos legalizimi, kanë përfshirjen e tyre të përgjegjësisë, sidomos në atë dokumentare. Megjithatë e rëndësishme është të shikojmë përpara.

Së fundi qeveria ka vendosur të hiqen sportelet edhe në kadastër, a e ndryshon kjo situatën dhe a është kjo një masë preventive kundër korrupsionit ?

-Sigurisht ju e keni dëgjuar edhe Kryeministrin, që ka thënë që nuk do të ketë sportele dhe si e tillë edhe Kadastra do të jetë institucion që brenda vitit 2022 do të jetë tek ato institucione të cilat nuk do të kenë sportele dhe gjithë stafi do punojë të marrë përgjegjësi për ngritjen e gjithë bazës dokumentare për të dhënë në kohë përgjigje qytetarëve dhe kjo është një sfidë për punën time për t’i sherbyer këtij objektivi madhor në vlerë të qytetarëve, në vlerē të institucionit dhe mbi të gjitha në rritjen ekonomike që pritet me marrjen e pronësisë dhe Certifikatës së Pronësisë për shumë qytetarë.

Në kadastër ka kërkesa të shumta a keni ju dijeni sa qytatarë e biznese janë në pritje të regjistrimit të pasurisë së paluajtëshme?

Patjetër që jam në dijeni pasi çdo proçedurë kalon nga ne,por trajtohen sipas afateve ligjore. Për qytetarët, të gjitha grupet e interest, kemi të nënshkruara elektronikisht dhe të dërguara në sistemin E-Albania/NISA mbi 12.0000 shërbime për vetëm 3-muaj.

Si keni menduar ta ndryshoni institucionin, ndoshta më të rëndësishëm me ndjeshmëri të madhe në popull, për t’i dhënë një fytyrë të re ?

-Sic e citova dhe më lart unë kam 3 muaj që jam në drejtim të institucionit dhe synoj të jem në lartësinë e duhur për besimin që më është dhënë,në radhë të parë duke i ndyshuar imazhin institucionit në raport me kohën e kthimit të përgjigjes dhe pritjen e çdo qytetari. Unë pres vetë qytetarë pasi dua të ndikoj në mënyrë të drejtëpërdrejtë në një mentalitet ndryshe të pritjes te tyre dhe stafi të kuptojë që kjo nuk është një zyrë në të cilën ka zvarritje, ka vonesa apo ka kërkesa në sportele, që janë të papranueshme.

Drejtoresha,cilat janë marrëdhëniet tuaja si drejtuese me vartësit këtu dhe drejtorinë në qendër ?

-Marrëdhënie institucionale korrekte. Faleminderit !