Sarandë, operatorët turistikë, të parët që dëgjohen për buxhetin e ri në shërbim të sezonit të ri

Turi i dëgjesave me publikun për projektbuxhetin 2022 ka nisur nga biznesi turistik në Sarandë, që mban peshën më të madhe në përballimin e sezonit veror.

Kryebashkiaku Adrian Gurma tha në çelje të takimit se sezoni që mbyllëm ishte i mbarë përtej pritshmërive, na msoi shumë dhe na jep mundësinë të mësojmë edhe nga mangësitë. Duke folur për partneritetin me biznesin vendas, Gurma tha se bashkohemi në dëshirën që atë bashkëpunim joideal me biznesin këtë vit, ta kemi ideal në vitin 2022 e kjo të sjellë si produkt përsosjen e destinacionit, të ofertës dhe shërbimeve turistike.

Operatorët që e morën fjalën, si: Arben Çipa, Dhinitraq Lapa, Dhimitër Gjoni, Meri Lepuri, Timo Lapa, Astrit Zeno, Vasil Barka etj., përveçse konfirmuan që sezoni 2021 ishte surprizë që erdhi nga puna e bashkërenduar, vunë theksin në nevojën për disa përmirësime të rëndësishme për t’i dhënë vetes dhe qytetit markën e turizmit Saranda dhe që sezoni të shtrihet më gjatë në kohë.

Ndër më të qenësishmet e ndryshimeve që ata propozuan, kishin të bënin: me shtrirjen e plazheve publike edhe në zonat që nuk u përfshinë dot në këtë hartë këtë verë poshtë shetitores, me investimin për të ndryshuar “kartolina” hyrëse për në Sarandë dhe fasadat e disa objekteve të vjetra në qytet; të përfundojë bypass-i i rrugës së ish-nënstacionit, të lobohet më fort për ta bërë Sarandën më shpejt se Vlorën me aeroportin turistik e deri për t’u orientuar më mirë në tregun turistik dhe të fuqizohet mbështetja me buxhet edhe për promocionin e destinacionit në këtë treg dhe për të ofruar jetë koncertore e kulturore.

Pika të tjera të forta ku u pëqendrua bashkëbisedimi Bashki-biznes, ishin zgjidhjet për lehtësimin e qarkullimit dhe rregullimin më të mirë të parkimit dhe sinjalistikës, qasjen e re për biznesin e ri të anijeve turiatike dhe të gjitha problematikat që vijnë prej tyre, përfshirë ndotjen akustike etj.

U fol edhe për nevojën e vendosjes në plazhet publike të ngjyrave të flamurëve që i kategorizojnë ato sipas shkallës së pastërtisë dhe cilëdisë së ujit.

Kryefjalë e tryezës ishte si të oftohet turizëm në një qytet të pastër dhe me rregulla të gjithëpranuara për menaxhimin e mbetjeve të prodhuara nga biznesi në sezon. Kjo u trajtua si sfida më e madhe, pasi është e papranueshme që bizneset ofruese të turizmit, të vazhdojnë të jenë ndër ndotësit më të mëdhenj dhe çrregullues të shërbimit të pastrimit.