Promovohet libri i historisë 60-vjeçare të estradës profesioniste të Sarandës
Estrada Profesioniste e Sarandës, që ka bërë emër dhe histori në shkallë vendi, e ka tani të mbledhur në një libër këtë histori.
“Aroma e një kohe që po ikën” është titulli i këtij libri, materialet e të cilit janë mbledhur nga aktori e regjisori Vangjel Agora dhe janë kuruar e redaktuar nga Prof. Josif Papagjoni.
Moderatori i aktivitetit promovues Xhorxhi Vasili, e ka renditur Estradën në faktorët që për dekada me radhë i kanë dhënë identitet Sarandës në shkallë vendi, krahas shumë të tjerave, si: cilësia në mësimdhënie, rekordmenët në not, emocionet në volejboll e majat në sportin e shahut. Mirëserardhjen në promovim dhe mirënjohjen të gjithë atyre që kanë një tullë në murin e kësaj Estrade, ua dha qytetari i parë i Sarandës, Adrian Gurma. Ai tha se Estrada e Sarandës është një aset i çmuar i historisë së këtij qyteti dhe një nga identitetet e Sarandës në vite.
Ky ishte dhe motivi, u shpreh ai, pse Bashkia u bë mbështetëse për botimin e këtij libri. Adrian Gurma ishte falenderues që Qendra Kulturore e Sarandës, si vazhduese e historisë së Estradës, mbajti një peshë të madhe në aktivitetet që shoqëruan sezonin turistik 2021.
Nga ana tjetër, Kryebashkiaku Gurma tha se nuk ndjehet mirë që eventi i lëtij promovimi nuk mund të bëhej dot në atë që e quajti “Shtëpi të Estradës” dhe bëri publik lajmin se pritet dhënia e fondit që do të duhet për rikualifikimin e Kinoteatrit “Butrinti”. Projektin tjetër ambicioz për ngritjen e Bandës muzikore të Fëmijëve, kreu i Bashkisë Gurma, e solli si argument tjetër të kthimit të vëmendjes së institucionit që drejton, nga fusha e artit dhe kulturës në qytet.
Akademiku Josif Papagjoni u shpreh i plotësuar që një aseti si Estrada Profesioniste e Sarandës, iu dha mundësia të ketë një memorje të shkruar që qyteteve më të mëdha ende u mungon. E për këtë ka vlerësuar që mbështetja nga Kryetari Gurma ishte e menjëhershme. Libretisti dhe regjisori i shquar Pëllumb Kulla, tha se ndjehet edhe ai pak sarandiot e këtë ndjesi e ka të prejardhur nga bashkëpunimi i ngushtë me trupën e Estradës së Sarandës, nga muqësoa me regjisorin emblematik të saj Thoma Milaj dhe nga bashkëpunimi me libretistin Enver Isufi etj.
Në cilësinë e ish-drejtorit të institucionit të kulturës dhe si krijues, Zaho Vasili tha se me librin e Estradës po plotësohet kolana e librave “Saranda”, që ka nisur me memorjen mjeksore e ka vijuar me librat për volejbollin e notin. Autori Vangjel Agora tha se pika e nisjes së këtij botimi ishte tema e tij e diplomës, që e mbrojti me profilin e kësaj Estrade.
“Aroma e një kohe që po ikën”, sipas tij, është shkruar nga dhjetëra profesionistë e qindra amatorë që janë bërë pjesë e historisë së Estradës në rrugën e saj. Libri për Estradën u vlerësua i denjë për të qenë në zyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe për t’ua dhënë si suvenir miqve të veçantë të Sarandës.