“Kosh plehrash”, shiu dhe era nxjerrin mbetjet e lumenjve në bregdetin e Sarandës

Mbetjet urbane të hedhura në lumenjtë e Kalasës dhe Bistricës, kanë dalë buzë detit në Sarandë, pas shirave me intensitet të lartë dhe erës së fortë gjatë ditës së djeshme.

Kjo panoramë e shëmtuar është krijuar nga dora e njeriut, duke ndotur bukuritë natyrorë, si të ishin një “kosh plehrash”.

Shishe qelqi, bidona plastikë, paketime kartoni e letre, qese plastike janë përhapur buzë lumit pasi rrjedha është fryrë nga intensiteti i reshjeve. Vende- vende hedhurinat kanë mbetur buzë detit, duke krijuar peisazhe absurde dhe ndotje masive.

Moti i keq gjatë ditës së djeshme ka sjellë probleme në disa zona të vendit. Disa problematika kanë qenë rrëshqitje gurësh, dherash, bllokime rrugësh nga dëbora etj., të cilat janë menaxhuar dhe rikthyer në gjendje normale nga strukturat e emergjencave civile. Në disa zona ka pasur edhe përmbytje, për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati, por fatmirësisht situata ka qenë nën kontroll.

Për arsye të kohës së keqe, është ndaluar lundrimi për të gjitha llojet e anijeve, në linjat Sarande- Korfuz dhe për anijet e peshkimit. Në raste të rritjes së nivelit të deteve për shkak të shirave intensivë, del në pah një tjetër problem siç është ndotja e tyre.