Ndërtimi i tunelit të Llogorasë, 4.67 miliardë lekë nga buxheti

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se në projektbuxhetin për vitin 2022 fondi i llogaritur për tunelin e Llogorasë është 4.67 miliardë lekë.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat të pr/buxhetit për vitin që vjen, ministrja Balluku theksoi se punimet për ndërtimin e tunelit të Llogorasë parashikohet të përfundojnë në vitin 2024.

Ndërtimi i tunelit të Llogorasë i përgjigjet strategjisë së turizmit duke shkurtuar distancën drejt bregdetit të jugut për të gjithë vizitorët vendas e të huaj, si dhe duke i dhënë hov zhvillimit të mëtejshëm turistik të rivierës shqiptare.

Me ndërtimin e kësaj vepre, aksi Orikum-Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta.

Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërinë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun.