Kursimet bankare, kryesojnë qytetet turistike
Turizmi ka dhënë një kontribut të ndjeshëm në rritjen e kursimeve bankare.
Qytetet turistike Vlora, Durrësi dhe Lezha krahas fluksit më të lartë të turistëve gjatë sezonit veror, kanë regjistruar edhe rritjen më të madhe të depozitave bankare në tremujorin e tretë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, të dhënat mbi ecurinë e kursimeve bankare sipas rretheve, tregojnë se në këtë periudhë, Lezha kryeson me rritjen më të madhe 6.2%, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Më pas vjen Tirana me një rritje të depozitave 5.1%, Vlora dhe Durrësi regjistrojnë përkatësisht rritje 4.4% dhe 3.1%. Një rritje më të vogël shënojnë Fieri, Elbasani dhe Shkodra.
Në total, depozitat në monedhën vendase regjistrojnë vlerën 530 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë në 654 miliardë lekë.