Finiq/ Solis, takimi i 2-të i partnerëve të projektit
Ditën e martë, më 23 nëntor, në ambientet e Hotel Epirus në Sarandë, Bashkia Finiq organizoi takimin e dytë të partnerëve të projektit Solis, në frymën e një bashkëpunimi dhe informimi për ecurinë e projektit.
Partnerët u takuan për të diskutuar ecurinë e deritanishme të projektit, aktivitetet që do zhvillohen edhe hapat që duhet të ndërmerren në vazhdimësi për zbatimin e suksesshëm të projektit.
Në takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Finiqit z. Kristo Kiço, Kryetari i Bashkisë së Prevezës z. Nikos Georgakos, në emër të Universitetit të Janinës profesore Katerina Plakitsi dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Të ftuar të nderit ishin Kryetari i Bashkisë së Dodonit z. Christos Dakaletsis, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër z. Dimitris Sacharidis dhe deputeti i qarkut Vlorë z. Niko Kuri, ndërsa takimi u koordinua nga këshilltarja e kryetarit znj. Velta Dalanaj.
Projekti Solis është një projekt strategjik i zbatuar në kuadër të programit Interreg IPA CBC “Greqi – Shqipëri 2014 – 2020”. Projekti bazohet në katër shtylla kryesore të cilat janë: shfrytëzimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, rritja e efiçencës së energjisë, vlerësimi i importimit të teknologjisë dhe promovimi i një stili jetese të përgjegjshme. Prandaj, SOLIS tenton të maksimizojë përdorimin e mundësive ndërkufitare, që do të thotë “Prodhimi i Energjisë dhe burimeve të Energjisë së rinovueshme”, me synimin për të përdorur energjinë diellore për të prodhuar energji elektrike në nivel lokal.
Në fund, Z. Kiço, pasi u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe të ftuarve të nderuar, vlerësoi rëndësinë e programeve ndërkufitare dhe në veçanti zbatimin e projektit SOLIS. “Solis është një projekt pilot dhe startim për teknollogjinë e re për zonën tonë. “Na sjell një hap më afër Komunitetit Evropian, duke zhvilluar mjete për menaxhim të mundshëm dhe të integruar të energjisë diellore, duke ofruar njëkohësisht bashkëpunim me bashkitë fqinje…”, tha ai ndër të tjera.