Ndalohen dy të rinj në Gjirokastër, njëri me temperaturë e kollë. Dyshohet se janë infektuar me COVID-19

Dy shqiptarë që po ktheheshin nga Greqia dyshohet se janë infektuar me COVID-19. Sipas informacioneve mësohet se të dyshuarit janë rreth moshës 25-vjeç dhe janë kapur në kufi nga Policia.

Ata ishin bllokuar në Greqi dhe po tentonin që të kalonin në këmbë kufirin, por një prej tyre kishte shfaqur shenja të koronavirusit. Pak kapjes nga Policia, mjekët e ISHP Gjirokastër të vendosur në Kakavijë kanë bërë vizitën dhe tamponimin e shtetasve.

Njëri prej tyre kishte kollë dhe temperaturë 37.5. Ata do të qëndrojnë të izoluar deri në rezultatin e përgjigjes së analizave që del nesër në mesditë.

Ndërkohë, në Shqipëri janë 186 të infektuar me Covid-19, mes tyre 4 fëmijë, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 10. 31 nga të prekurit janë shëruar, por harta e infektimit është zgjeruar. Puka i bashkohet listës me 2 të infektuar, ndërsa epiqendra është në Tiranë me 107 të infektuar. 12 mjekë dhe infermierë janë prekur, ndërkohë që Spitali Infektiv, COVID1 po mbush kapacitetet me 77 shtretër. Autoritetet kanë vetëm një thirrje për qytetarët: Qëndroni brenda!