DETAJET/ Si kishte arritur ‘Rakua’ të qëndronte në policinë e Sarandës pavarësisht arrestimit të mëparshëm?

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që u zbulua sot në Sarandë, ku një 13-vjeçare shfrytëzohej seksualisht, ndërkohë që në mesin e personave që kishin kryer marrëdhënie me të është dhe një kryeinspektor i policisë.

Petraq Rako, oficer i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, dhe bashkëpunëtori i tij Stefan Koloi, tutori i të miturës janë arrestuar në kushtet e flagrancës.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë ngjarje është padyshim përfshirja e një punonjësi të policisë së shtetit, i cili është ricikluar në radhët e bluve, pas një arrestimi që ka pasur rreth 14 vite më parë.

Mësohet se Rako në 2007-ën ishte arrestuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, por më pas është shpallur i pafajshëm.

Ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, 4 celularë, një sasi vlerë monetare e dyshuar si e përfituar nga veprimtari kriminale si edhe është vendosur sekuestro konservative ndaj ambienteve të përshtatura për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Sipas njoftimit të policisë hetimet për këtë rast kanë filluar disa muaj më parë, ndërkohë që Koloi kishte përshtatur dhe një ambient ku shfrytëzonte vajzën e mitur, kundrejt përfitimit financiar që merrte.