“Trekëndëshi i Bermudës” i Bashës, Kryemadhi: E ashtuquajtura opozitë po zhvillon tango me mazhorancën

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim komentoi deklaratën e Lulzim Bashës në Parlament, ku quajti Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën si brinjët e “trekëndëshit të Bermudës”.

“Për mua asgjë të re nga fronti i lindjes”, tha Kryemadhi në një intervistë për Zërin e Amerikës. “LSI e shikon veten në misionin e saj për ta vazhduar opozitën me identitetin e saj ndonëse kauzat e opozitës deri në zgjedhjet e 2021, atë çfarë ne prisnim dhe qytetarët ndryshimin megjithëse politika tradhtoi në një fare mënyrë kauzat e qytetarëve. LSI vazhdon të qëndrojë. Javën që kaloi dorëzova përsëri në prokurori padinë e radhës për inceneratorin e Fierit ku 400 e sa milionë euro i merren taksapaguesve dhe nuk përfitohet absolutisht asgjë. Është thjesht një skemë korruptive. Ne në muajin dhjetor do të shkojmë drejt mbledhjes konventës kombëtare që për shkak të pandemisë nuk e realizuam dot pasi duhet të mblidhej vitin e kaluar në mënyrë që të ketë zgjedhjen e strukturave të reja të saj dhe për të ecur përpara drejt një strategjie të re”.

E pyetur për betejën Basha-Berisha, kryemadhi tha se nuk donte të komentonte me punët e brendshme të PD. “Ne me Partinë Demokratike na ka lidhur bashkimi në kauzat për të mirën e qytetarëve siç ka qenë çështja e Teatrit Kombëtar apo siç ka qenë çështja e taksës së Rrugës së Kukësit pavarësisht sesa të suksesshme ishin iniciativat e opozitës në  atë kohë. Por nga ana e LSI angazhimi ynë ka qenë gjithmonë luajal dhe i qëndrueshëm deri në fund duke pasur parasysh që ka qenë nga të vetmet partnere e cila i qëndroi deri në fund frontit opozitar deri në 25 prill”.

E pyetur për marrëdhëniet mes dy partive të opozitës sot, Kryemadhi e etiketoi PD-në si “të ashtuquajturën opozitë”.

“Nuk kanë absolutisht fare rëndësi marrëdhëniet e LSI me PD sot, duke pasur parasysh mjafton të shikojmë çfarë po ndodh, ku tangoja elektorale të ashtuquajturës opozitë me mazhorancën nuk po sjell gjë tjetër veçse po rrit borxhin e jashtëm të Shqipërisë dhe po e kalon në shifra ekstreme drejt falimentimit të shtetit dhe për të vazhduar më tutje me marrëveshje të cilat i mungojnë transparencës politike dhe parlamentare. Sot jeta e shoqërisë shqiptare dhe aq më shumë politika shqiptare nuk artikulon absolutisht për gjëra që kanë lidhje shumë të rëndësishme më ekzistencën e popullit shqiptar dhe aq më shumë të të rinjve shqiptarë duke pasur parasysh vetëm periudhat e fundit shpopullimi i familjeve shqiptare është i jashtëzakonshëm gjë që është e dhimbshme nëse një kombi do t’i largohet e gjithë rinia ai është i destinuar të vdesë”.