Tragjedia me 5 viktima në Muzinë, Gonxhe: Furgoni pa licencë, pesha në bagazh rëndoi bilancin

Në datë 26 gusht të këtij viti pesë persona humbën jetën në një aksident tragjik në Qafën e Muzinës. Viktimat ishin dy gra dhe tre burra. Mes viktimave ishte edhe shoferi i furgonit. Furgoni ku ata po udhëtonin nga Tirana për në Sarandë ra nga lartësia në një greminë pasi u përplas me një makinë fuoristradë “Land Rover”.

Drejtori i Transportit Rrugor të Shqipërisë, Blendi Gonxhe i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” u shpreh se furgoni ishte pa licencë dhe se bilanci i aksidentit u rëndua nga pesha që kishte në bagazh.

Një shërbim i pasiguruar, i pakolauduar, i pa kontrolluar dhe i palicencuar nuk të thotë as vendos rripin para, as ulu në sediljen e dytë, as kujdes valixhet. Aksidenti më i rëndë që ndodhi në jug këtë verë në Qafën e Muzinës, nuk ndodhi edhe aq nga rrëzimi, nga lartësia.

Aksidenti ndodhi me një mjet të bashkisë së Finiqit që nuk e kishte fare të drejtën për të bërë transport nga Tirana në Sarandë dhe nga pesha që kjo makinë kishte në bagazhin e vet që ishte krejtësisht e pa lejuar që të ishte në atë lloj forme.

Dhe kjo shkaktoi një aksident. Natyrisht që do të ishte një aksident rënia nga rruga, por kjo shkaktoi një aksident më të rëndë që mori gjithë ato jetë njerëzish. Ishte një automjet, pa bileta, jashtë linje dhe itinerari” tha ai.