Ra nga pallati ku po punonte e humbi jetën 63 vjeçari në Sarandë, pranga administratorit dhe pronarit

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Sarandës si personat përgjegjës për zbatimin e rregullave në punë ku si pasojë një ditë më parë ka rënë nga lartësia dhe humbur jetën një 63 vjeçar.

Policia bën me dije se ta arrestuarit janë shtetasi M.R. 47 vjeç administratori i pallatit dhe A.R. 60 vjeç pronar i pallatit, nga lartësia e së cilit ka rënë dhe humbur jetën duke punuar shtetasi H.M. 63 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme, në lagjen nr.2, Sarandë, në një pallat 15-katësh.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, shtetasit M. R., 47 vjeç, banues në Sarandë (administrator i pallatit)  dhe A. R., 60 vjeç, banues në Tiranë (pronar i pallatit), pasi paraditen e djeshme, në lagjen nr.2, Sarandë, në një pallat 15-katësh, është rrëzuar nga lartësia, duke punuar shtetasi H. M, 63 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.