Përvjetori i Kacifas, çpo ndodh në jug të Shqipërisë? Artan Hoxha: SHISH e antiterrori gati!

28 tetori po vjen! Kjo datë përkon me përvjetorin e ditës së “JO”-së greke, e cila është festë kombëtare në Greqi. Edhe në Shqipëri, pakica greke feston, por tre vite më parë ndodhi ngjarja e rëndë e vrasjes së Konstantinos Kaçifas. Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në “ABC LIVE” u shpreh se këto aktivitete me pjesëmarrjen e shoqatave nacionaliste shoviniste nuk duhet të lejohen nga autoritetet shqiptare.

“Në fakt dita e festës kombëtare greke, që festohet edhe në Jug të Shqipërisë ku ndodhet i përqendruar minoriteti grek. Nuk është se problemi ka nisur me vrasjen e Kacifas, edhe më herët ka pasur probleme në kufijtë tanë jugorë, por i kanë lejuar “të bëhet cfarë të bëhet dhe të kalojnë shpejt”. Pra nuk është 28 tetori që tërhoqi vëmendjen, por ka filluar më herët. Shoqata greke, nacionaliste me nuanca shoviniste që i financojnë që paraqiten në Jug të vendit me simbole të Vorio-Epirit, është kthyer në simbol për atë pjesë të pretenduar që sipas tyre duhet të ishte pjesë e territorit grek. Këto janë aktivitete kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ajo që shqetëson është fakti i pjesëmarrjes, para dy vitesh ishte Agimi i Artë, por edhe deputetë të partisë që sot është në pushtet “Demokracia e Re”, sepse kjo përkthehet në vota. Kjo nuk është një gjë kalimthi, por e përvitshme, që bëhet cdo vit. Por autoritetet tona i kanë toleruar. Unë mendoj se kjo duhet të zgjidhet ndryshe, të parandalohet kjo gjë. Problemi është prapavija që ka krijuar probleme.”

Por çfarë pritet që të ndodhë këtë vit? Sipas Artan Hoxhës në jug të vendit është rritur vigjilenca për të mbajtur larg territorit personat e shpallur “non grata”. Me një listë të zezë në kufi, autoritetet shqiptare do të mundohen që të shmangin tensionet.

“Ka një prezencë të shtuar të SHISH-it tonë në Jug të vendit, të shërbimit të anti-terrorit të policisë së shtetit, pasi ka listën e personave që janë shpallur “non grata”, që kanë nxitur një frymë konfliktuale dhe pastaj kemi një listë, që i kalon 85 persona. Kjo listë u është dhënë autoriteteve tona nga Qafë Bota në Kapshticë, që kufizohemi me Greqinë, që të pengojnë ardhjen e tyre, se vijnë me autobus dhe kolonë mjetesh. Është dhënë orientimi që nuk duhet të hyjnë, në këtë listë ka edhe eurodeputetë, si ajo e Qipros atëherë. Unë mendoj që duhet t’i lesh të hyjë dhe t’i ndjekësh penalisht më pas. Kemi edhe një rritje të vigjilencës në kufirin e gjelbër. Vendi ku ka ndodhur ngjarja në Bularat në vijë ajrore me kufirin grek nuk është më shumë se 2 km,” tha ai.

Ndërkohë që çështja e vrasjes së Kaçifasit nga forcat RENEA është rikthyer sërish në “vorbullën” e opinionit publik me vendimin e marrë nga Prokuroria e Gjirokastrës, se i riu ishte vetëvrarë. Ditën e aksionit në Bularat, vetë Policia pranoi se kishte qëlluar mbi të riun, ndërkohë që hetuesit kanë dalë në një përfundim tjetër totalisht në kundërshtim, duke ngjallur përplasje të forta. Megjithatë dosja është kthyer pas nga gjyqtarja Suela Daçi.