Konispol, historia e viktimave të eksodit nga Çamëria
Në udhëtimin e tij në Konispol, gazetari Blendi Fevziu është ndalur edhe në memorialin që u është kushtuar viktimave të eksodit të çamëve gjatë viteve 1944-1945.
Ky memorial i vendosur në zonën e Xarës, i ndërtuar në vitin 2012 kujton më shumë se 2900 persona që humbën jetën kryesisht për shkak të të ftohtit dhe dimrit të vitit 1944.
“Nga pranvera e vitit 1943 një grup i madh i banorëve të Çamërisë u larguan për t’i shpëtuar masakrës së Napolon Zervës. Imazhet e tyre në kronika të filmuara nga anglo- amerikanët janë traumatike Ata udhëtuan për ditë të tëra duke u vendosur në zonën e Vrinës për një periudhë 1 vit e gjysmë apo dy vjet, derisa qeveria i shpërndau në zona të ndryshme të vendit. Ata qëndruan gjatë dimrit të vitit 1944-1945 dhe një numër i madh humbën jetë në këtë zonë.
Pikërisht aty është ngritur në vitin 2012 një memorial për 2900 vetë, që humbën jetën në ditët e ftohta të atij dimri me shpresë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, por që nuk u kthyen më kurrë”, tregon gazetari.