Dorëheqja e delvinjotit Ardi Veliut: Do t’u përkushtohem fëmijëve, i kam në moshë delikate

Në letrën drejtuar kryeministrit Rama, Ardi Veliu rendit arsyet e dorëheqjes nga detyra si drejtor i Policisë së Shtetit. Veliu thotë se do të largohet për t’iu përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve tani që janë në një moshë delikate.

Ai thotë se ndër sfidat kryesore gjatë punës së tij kanë qenë lufta kundër trafikut të drogës, krimit e organizuar dhe atij të rrugës, flukset e emigrantëve dhe tubimet e dhunshme.

“Për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si drejtuesi i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit në një punë sfiduese dhe impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrifikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse dhe lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit të organizuar dhe atij të rrugës, flukset e emigrantëve, dhe tubimet shpeshherë të dhunshme.

Por në këtë moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve tani që janë në një moshë delikate e të cilëve u kam munguar pafund në këto katër vite.

Kjo ka qenë padyshim përvoja më e vyer e jetës sime dhe ju falënderoj për besimin, mbështetjen dhe kurajën e vazhdueshme pa të cilat nuk do kishim arritur të menaxhonim me sukses kaq shumë sfida. Mezi pres të punojmë sërish së bashku në të ardhmen në shërbim të vendit tonë e njerëzve tanë. Me mirënjohjen më të thellë e konsideratat më të larta”.