Vijon operacioni “Bregdeti Ynë”, pritet shembja me tritol e objektit 4-katësh në Dhërmi

Një objekt katër katësh do të shembet në Dhërmi nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Ky është një tjetër rast flagrant i tejkalimit të lejes së ndërtimit. Ekspertët e IKMT, Policisë se Shtetit dhe Forcat e Xhenios po bëjnë aktualisht vendosjen e eksplozivit për të kryer më pas shpërthimin e kontrolluar.

Shembja e këtij objekti bëhet në kuadër të operacionit “Bregdeti Ynë”, i cili rifilloi dy javë më parë pas ndërprerjes për shkak të sezonit veror. Po në Dhërmi, IKMT shembi në fillim të këtij muaji një tjetër objekt pa leje. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka thënë shpesh se nuk kemi të bëjmë thjesht me një aksion, por me një operacion që do të vazhdojë në të gjithë bregdetin dhe në zona të tjera të vendit për të liruar çdo hapësirë të zaptuar nga ndërtimet pa leje.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë” që nisi në muajin qershor u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetra persona.