Pa ujë dhe pa drita në Ksamil, vajzat e Limoz Dizdarit i shkruajnë Ramës: Faleminderit për indiferencën

Limoz dhe Adriana Dizdari e kanë humbur betejën e tyre me shtetin për qendrën e kulturës DEA, që ngritën së bashku në zonën e Ksamilit. Prona është shitur në ankand dhe çifti i artistëve duhet të dorëzohet pas vitesh e vitesh rezistencë ndaj burokracive e padrejtësive.

Përdorën të gjitha mjetet e format e persekutimit ndër vite për t’i larguar, që nga presioni, kërcënimet, shantazhet e deri te ndërprerja e dritave dhe të ujit, jo për shkak të mospagesës së tyre, por për t’i larguar sepse trualli me gjasë do të përdoret për të ngritur një tjetër hotel, a resort në një zonë ku hotelet e resortet nuk mungojnë, por që do t’i mungojë një qendër arti, si ajo e ngritur nga njëri prej kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë, Limoz Dizdari dhe bashkëshortja e tij, Adriana.

Janë vajzat e çiftit që përmes një letre publike dërguar Kryeministrit Edi Rama shprehin dhimbjen për peripecitë e kaluara nga prindërit e tyre.

Pa ujë e pa drita / “Persekutimi” i kompozitorit Limoz Dizdari

FALENDERIMET JANË TË RASTIT
Letër e hapur
Nga vajzat e çiftit Dizdari për zotin Edi Rama (dhe të tjerë…)

Disa javë që jetojmë në ankth. Aty ku jemi ne, aty ku kemi ndërtuar jetën tonë, në Bordeaux, Neë York, Londër, kemi disa ditë që jetojmë në ankth. Kush nuk do jetonte këtë ankth ? Na thoni, kush?! Ngrihemi në mëngjes, shkojmë në punë dhe sapo gjejmë një dritare në vrapin e ditës, sigurisht lidhemi me prindërit në Ksamil, tek Qendra e Artit DEA.

Na e hapin telefonin me buzëqeshje (duan të na tregojnë që janë mirë) dhe me një zë që tingëllon i qetë (ah, me sa mund !), na thonë ‘mirë jemi, por na hynë disa njerëz me dhunë sot në Qendër, shqyen derën e madhe me kangjella, u futën në oborr me tre makina, dhe me birra në dorë, u ulën si në shtëpinë e tyre….thanë që e kanë blerë qendrën ne ankand dhe edhe policia mezi i nxori’ (kush ua shiti? Ta shtrojmë pyetjen apo nuk ka nevojë ?). Pastaj, ‘mirë jemi, por nuk kemi drita’ (iu kanë prerë dritat ?!!!!). Më së fundi, ‘mirë jemi, por nuk kemi ujë’ (iu kanë prerë ujin ?!!!!).

U shqetësuam shumë. Kush nuk do shqetësohej ? Një mbledhje tjetër mes motrave në zoom ishte e domosdoshme. Dhe këtu u ndez një dritë. Të treja thamë me një zë: ‘po fitojnë lirinë!’. 23 vjet të lidhur këmbë e duar me Qendrën e Artit që ndërtuan nga hiçi në cepin më të largët jugor të Shqipërisë.

23 vjet të përkushtuara artit dhe kulturës në Ksamil. 23 vjet që prindërit tanë vazhdojnë të punojnë, të shpërndajnë muzikë dhe art pa kursim. 23 vjet që ata vazhdojnë të organizojnë evenimente artistike, kulturore për të gjithë dhe pa asnjë ndihmë.

Mos harrojmë që është një institucion jo fitimprurës. Po tani ? Tani do fitojnë lirinë. Dhe për këtë duam t’ju falënderojmë, zoti Rama. FALEMINDERIT për indiferencën që treguat, ju, artist, për të siguruar vazhdimësinë e një qendre arti, të paimagjinueshme në një zonë si Ksamili, si të tillë. Ishte gati. Adriana dhe Limos DIZDARI ua kishin bërë gati.

E vetmja gjë që duhet të bënit ishte të zbatonit ligjin që të bëhej pronë e bashkisë së Sarandës. Ne ju falënderojmë, sepse për ne ky është fundi i një epopeje trazirash të vazhdueshme. Ne ju falënderojmë, sepse ne duam që prindërit tanë të gjejnë lirinë e veprimit dhe të shijojnë jetën se kanë dhënë shumë. Por nuk besojmë që fëmijët, të rinjtë, komuniteti i Ksamilit dhe Sarandës t’ju jenë mirënjohës që lejuat që t’iu shterohet burimi i vetëm i artit të mirëfilltë.

Historia e Artit do e mbajë mend. Dhe nëse jo, ne do jemi këtu për t’ia kujtuar. Dhe nëse ne nuk do jemi më këtu, fëmijët tanë do e bëjnë.

Lum pasardhësit tuaj! FALEMINDERIT zoti Kryeministër!

Faleminderit bashkia e Sarandës ! Prindërit tanë janë të lirë!