Nis legjislatura X e Kuvendit të Shqipërisë/ Rikthehet opozita! Luljeta Bozo drejton seancën: Të punojmë pa ngjyra partiake

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të ri, ku 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit u ulën në vendet përkatëse.

Siç e përcakton edhe rregullorja e Kuvendit, drejtuese e seancës së parë plenare është deputetja më e vjetër në moshë, Luljeta Bozo, nga radhët e PS-së.

“Pas një karriere të gjatë profesionale kam nderin të hap legjislaturën e 10 parlamentare. Ndihem e emocionuar pasi kurrë më parë kjo sallë e nderuar s’ka pasur kaq shumë vajza e gra në radhët e saj. Jam jo vetëm krenare për këto arritje, por kam bindjen e thellë se kjo legjislaturë do të mbahet mend gjatë për thyerjen e barrierave e stereotipive gjinore, forcimin e rolit të gruas. Kemi marrë përgjegjësi të madhe, për misionin historik, për ta çuar Shqipërinë drejt Evropës. Për të krijuar një Shqipëri që brezat që vijnë ta adhurojnë.

Mbështetës potenciale në këto reforma mbeten SHBA, aleati ynë më i fuqishëm, BE e të tjerë. Na besuan për të çuar drejtësinë përpara, administratën, për aq sa mundemi çështjen e pronave, arsimin, shëndetësinë, ekonominë në të gjitha degët e saj, bujqësinë, energjetike, arti dhe kultura, pa hequr vëmendjen.

Ne vijojmë të ndodhemi para dy sfidave që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen, tërmetin e pandeminë. Ne të gjithë së bashku do ia dalim. Zonja e zotërinj. Populli nga zgjodhi me votën e tij, të punojmë pa parë ngjyra partiake. të kryejmë me sukses punën e nderuar të deputetit. Paçim punë të mbarë të gjithë, të majtë e të djathtë. Ne punojmë për të mirën e vendin tonë. Në këtë proces do të kemi mbështetjen e shqiptarëve. Punë të mbarë të gjithëve”, tha Bozo.

Kjo seancë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre, por priten edhe tensione pas ngjarjeve të fundit, ku kreu demokratik Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar i PD-së Sali Berishën.

Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.

Ndërkohë dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH, e ku të sqarohet e gjithë e vërteta.