Gjiknuri prezanton Ahmetajn si drejtues politik të qarkut Vlorë

Vlora ishte ndalesa e radhës e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ku zhvilloi një takim me strukturat e partisë në kuadër të turit të takimeve prezantuese të drejtuesve politik të qarqeve.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të Arben Ahmetaj si drejtues politik të qarkut, Gjiknuri u shpreh u se, “ne jemi një ekip. Në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm do bëj më të mirën e mundshme që të marrim më të mirën në qarkun e Vlorës. Dua t’i uroj suksese Arben Ahmetajt, i cili është me mjaft eksperiencë. Mua do më ketë gjithmonë krah. Drejtimi i Qarkut Vlorë dhe detyra si zv.kryeministër është një mundësi më e madhe për Vlorën, të cilës jam i bindur se do i kushtojë vëmendje të veçantë”.

Drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Arben Ahmetaj u shpreh se është privilegj të drejtosh dhe punosh në një qark si Vlora, që është edhe një nga qarqet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Partisë Socialiste.

“Është privilegj dhe emocion të drejtosh një nga qarqet më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe Partisë Socialiste. Vlora është një nga qarqet që ka kontribuar më shumë për fitoren e mandatit të tretë. Përgjegjësia për këtë qark është e madhe. Sfida e parë e jona janë zgjedhjet lokale të viti 2023”, tha Ahmetaj.

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste theksoi në fjalën e tij se, “në Vlorë, Partia Socialiste ka strukturat më të mira. Fitoret e njëpasnjëshme në Vlorë tregojnë se ky qark ka një unitet të jashtëzakonshëm. Duke qenë të qartë për garën që na pret jam i bindur se do keni të gjithë aftësitë për fitoren në bashkitë e qarkut”.

Sekretari Digjital, Etjen Xhafaj u shpreh para të pranishmëve se pjesa digjitale e Partisë është e domosdoshme për shpërndarjen e mesazhit.