Aeroporti i Sarandës, tre faza për trafikun e pasagjerëve, në vitin e 10-të arrijnë 700 mijë

Aeroporti i Sarandës nëse sheh zbatim nga kompania që do të fitojë koncesionin tashmë në fazë prokurimi do të duhet të shtrijë akomodimin e pasagjerëve në tre faza në 10-vejçarin e parë të operimit. Të dhënat sipas dokumenteve të bëra publike nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tregojnë se faza e parë është ajo e nisjes së operimit ku pritshmëria është që të jenë të paktën  130 mijë pasagjerë. Terminali sipas dokumenteve duhet të jetë me kushte të tilla që të trajtojë minimalisht 300 pasagjerë në orën nën nivelin TPHP(Pasagjeri Total i Orës së Pikut).

Në fazën e dytë është ajo e 5 viteve të para të operimit pritshmëria është që numri i pasagjerëve të ketë arritur në 300 mijë dhe investitori duhet të jetë i përgatitur që nga ana e infrastrukturës dhe pajisjeve që të trajtojë një nivel trafiku pasagjerësh që në orën e pikut është 550.

Faza e tretë që nënvizohet në dokumente është ajo pas 10 vitesh nga nisja e operimeve në aeroport kur totali i pasagjerëve në vit parashikohet të ketë arritur 700 mijë dhe në nivelin e pikut duhet të trajtohen 825 pasagjerë.

“ Koncesionari do të sigurojë që gjatë Fazave të Funksionimit të Terminalit, që standardet IATA të mbahen për nivelin e shërbimit (LoS) në përputhje me Manualin e Referencës për Zhvillimin e Aeroportit (ADRM), Edicioni i Njëmbëdhjetë, IATA, Mars 2019. Niveli i Shërbimi do të jetë “optimal”, që do të thotë se ka hapësirë të mjaftueshme në lidhje me secilën nga zonat e përpunuesve dhe pasagjerëve. Koncesionari do të sigurojë që Terminali të projektohet dhe mirëmbahet me qëllim të zgjerimit të kapacitetit të Aeroportit në 2 milion pasagjerë në vit” thuhet në termat e referencës të bëra publike nga MIE.

Koncesioni për Aeroportin e Sarandës, të katërtin në vend nëse arrin të realizohet u njoftua pak javë më parë nga përfaqësues të qeverisë. Aeroporti do të jetë i kategorisë 3C me pistë 2200 metra dhe vlera minimale e hapjes së garës është vlerësuar në rreth 37 milionë euro. Pritshëmëritë sipas dokumenteve janë që në vitin e parë të operimit numri i pasagjereve të jetë 150 mijë dhe sipas studimit të konsolidohet në mbi 1 milionë maksimalisht në vit. Aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport sezonal. Shqipëria ka aktualisht në funksion dy aeroporte, atë të Tiranës dhe Kukësit ndërkohë që është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. /Monitor/