10 ditë pa drita dhe ujë, Adriana Dizdari: Ku jeni o artistë dhe intelektualë të Sarandës?!

Janë mbushur 10 ditë që Qendrës së Artit DEA në Ksamil, ku punojnë dhe jetojnë artistët Limos dhe Adriana Dizdari i është ndërprerë energjia elektrike dhe uji, pavarësisht se ata nuk rezultojnë debitorë.

Adriana Dizdari nëpërmjet një statusi në facebook shprehet e habitur që gjendja të cilën kalojnë nuk u ka bërë përshtypje artistëve dhe intelektualëve në Sarandë.

STATUSI i Plotë

Vazhdon gjuetija e shtrigave drejt Qëndrës së Artit Dea – Ksamil.

Prej dhjetë ditësh jemi pa drita dhe pa ujë. Na është prerë e drejta për të jetuar. Nuk e dini që kjo është një nga format e torturës, të nderuar zotërinj të administrates së Sarandës? ….

Në pronësinë e kujtdo të jetë Qëndra Dea, e konfederatës, e vlonjatëve apo tona, të drejtat njerëzore nuk e lejojnë që tu pritet drita dhe uji dy qytetarëve të Republikës Shqiptare, kushdo qofshin ata, puntor, fshatarë, intelektualë.
Në këtë rast, i janë prerë dritat dhe uji, dmth janë vënë nën torturë dy intelektualë, dy artista, dy njerëz që nuk u kanë bërë keq askujt, që kanë bërë vetëm punën e tyre me devocion.

Ajo që më çudit dhe revolton më shumë , është kënaqësija për të na bërë keq, per të heshtur para këtij cinizmi. Ju kryetar i Bashkisë nuk shqetësoheni për këto që po ndodhin, dhe me forcën që ju jep posti që keni, ti thoni “ mjaft” kësaj torture?

Po ju zoti Thoma Nika , e dini mirë që ne banojme këtu.

Si mund ta gëlltisni këtë që po na bëjnë? Unë ju kam konsideruar mik të familjes, ju kam pritur dhe përcjellë. Po ju muzikantë, dhe artistë të Sarandës si mund të heshtni para kësaj molepsjeje të shpirtit njerëzor? E di që kurajua nuk ju mungon, por keni familje dhe fëmijë. Pikërisht për dinjtetin tuaj që të mos ju nëpërkëmbin, të thoni fjalën tuaj.

Po ju poetë e shkrimtarë, ku jeni ?…. shoku juaj me gjithë bashkëshorten eshtë venë në torturë.
Jemi dy njerëz që mund të kemi nevojë për ndihmë mjekësore gjatë natës, dhe po të na ndodhë kjo çfarë mund të bëjmë në erësirë? Kush mban pergjegjesi për këtë? E dini se ju zë ligji?

Po ju zoti Petraq, që mereni me të drejtat e klientëve, nuk e dini se ne banojmë këtu dhe gjersa çështja e qëndrës të sqarohet, nuk keni asnjë të drejtë të prisni drita dhe ujin.? Turp, turp , njëqind herë turp. Kur ju ja bëni djalit të qytetit tuaj, Limos Dizdarit që nderon emrin e “Sarandës” në tërë botën, mere me mënd me të tjerët. Apo është nga ato inatet cinike alla shqiptarshe, që siç thotë Konica.

Kjo periudhë kohe 23 vjeçare në historinë e artit shqiptar dhe muzikës shqiptare, në sivinë e Limos Dizdarit , do të jetë faqja më interesante e jetës së tij, më kulminantja. Njerzit do heqin kapelen para emrit të tij , dhe do zgurdullojnë sytë duke pyetur njëri tjetrin, të verteta janë këto? ….pa drita, pa ujë, nën trysninë e njerëzve pa din e iman?