Ora policore në 23:00/ Masat e reja antiCovid në vend: Vaksinimi me detyrim për këto kategori, 3 kushte kush hyn në Shqipëri

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë ditën e sotme në një konferencë për media, për tu njohur me situatën e epidemisë në vend.

Pas rritjes së rasteve të reja me Covid dhe shtimit të humbjeve të jetëve, komiteti na ka njohur edhe masat e reja AntiCovid që do të hyjnë në fuqi nga data 1 shtator.

Duke vlerësuar situatën e deritanishme Komiteti ka vendosur marrjen e këtyre masave:

Duke filluar nga 1 shtator ora policore do të jetë nga 23:00 deri ne orën 06:00.

Nga data 6 shtator qytetarët të cilët do të hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të paraqesin dokumentin e vaksinimit, testin PCR ose atë të shpejtë, ose provë të kalimit të SARS-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj nga shërimi.

Shtatori duke qenë muaji i hapur, arsimtarët dhe studentët të vaksinohen dhe deri më 30 shtator të dorëzojnë kopjen e kartës së vaksinimit të dalë nga e-albania. Pas kësaj date, ata që nuk janë vaksinuar do të duhet të paraqesin vazhdimisht testin PCR.

Pasagjerët duhet të mbajnë me rigorozitet maskën, mbetet në fuqi moslejimi i familjarëve për personat që janë të shtruar. Për çdo neglizhencë të maskës, do të vijojë ndëshkimi, gjobë 3000 lekë për herë të parë dhe 5000 lekë kur përsëritet. Për bizneset, moszbatimi i protokollet shkon nga 100 mijë – 700 mijë lekë.

Këto masa do të jenë në fuqi deri në një urdhër të dytë nga Ministria e Shëndetësisë.