Manastirliu inspekton qendrën e re shëndetësore në Sarandë: Vijnë sot 50.000 doza të tjera vaksinash Pfizer, apel për studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik

2 Gusht, Sarandë – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në qendrën e re shëndetësore në Sarandë, e rikonstruktuar nga Programi Kombëtar i 300 Qendrave Shëndetësore.
“Qendra shëndetësore në Sarandë, tashmë e rehabilituar me kushtet më të mira, falë programit të qeverisë shqiptare për rehabilimitimin dhe ndërtimin e 300 qendrave shëndetësore, ka ndryshuar tërësisht falë investimeve që ne kemi bërë, për infrastrukturën dhe për mbështetjen me të gjithë pajisjen e nevojshme. Kjo qendër ofron shërbime për më shumë se 44.000 qytetarë të Sarandës”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç të vaksinohen sa më parë, duke apeluar edhe studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik.
“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë gjatë muajit gusht me vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç, duke ndalur fokusin tek të gjithë ata të cilët janë më të rrezikuar +50 vjeç, por gjithashtu duke synuar edhe studentët, ata të cilët duhet të jenë në auditore në vitin e ri, të jenë sa më të mbrojtur, për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes së variantit Delta dhe gjithashtu për të ulur dhe për të reduktuar rastet e rënda dhe fatalitetet”, nënvizoi Manastirliu.