Të pagjeturit në Sarandë, zonën e bregut dhe atë kufitare
Më 7 dhe 8 korrik, AIDSSH zhvillon një vizitë në zonën e bregut dhe të Sarandës, në kuadër të projektit të ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Ekipi i Autoritetit kryen një udhëtim në zonën e bregut, që nga kalaja e Porto–Palermos, vend ndëshkimi gjatë regjimit komunist për të dënuar të ndërgjegjes.
E shtrirë në gadishullin që sot mban emrin Porto-Palermo, kalaja që i atribuohet Ali Pashë Tepelenës mendohet të jetë shumë më e vjetër se fundi i shekullit XVIII, kur u përshtat për sfida të tjera luftarake.
E përdorur si vend internimi nga italianët, në 1948, me vendosjen e regjimit komunist në vend, kalaja mori statusin e monumentit të kulturës.
Si e tillë, për një periudhë të shkurtër, 1950, kalaja u përdor si vend internimi i burrave, grave e fëmijëve, familjarë të kundërshtarëve politikë, të cilët mbaheshin të izoluar, në kushte të vështira në mjediset e saj të errëta e pa dritë. Shumë të dënuar të kampit të Tepelenës ndaluan për disa kohë në Porto Palermo.
Sot monument kulture, i vizitueshëm nga shqiptarë e të huaj, kalaja dëshmon shumë histori, mes të cilave dëshmohen ngjarjet e diktaturës dhe gjurma e tyre në të sotmen.
Njohja në terren e vendeve të rëndësishme të kujtesës, përcakton edhe itinerare të vizitueshme nga të rinj e shkollarë, për njohjen me vendet e vuajtjes së dënimit dhe ndëshkimit.