Sarandë, Ilir Meta nderon me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” shkollën 9- vjeçare “Adem Sheme”

Pas vizitës tek shtëpia e fëmijëve “Vangjel Pulla” ku dekoroi disa nga edukatoret, Ilir Meta ka vizituar dhe shkollën 9- vjeçare “Adem Sheme”

“Një vizitë e shumëpritur në Shkollën 9-vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, në këtë vatër të rëndësishme të përhapjes së dijes, emancipimit shoqëror, nxitjes së kulturës, progresit shoqëror dhe formimit qytetar të rinisë së kësaj treve.

Duke ndarë urimet më të ngrohta me nxënësit dhe mësuesit e saj, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të këtij institucioni arsimor, pata nderin ta vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Kënaqësi, që në këtë ngjarje jubilare, të kujtonim në veçanti themeluesit patriotë dhe mësuesit e saj të parë dhe të paharruar, të nderuarit Sejfudin Tatzati, Lame Xhama, Fejzo Mehmeti, Xhelal Berberi, Xhevdet Kofina, Andromaqi Harito, si dhe shumë arsimtarë të shquar,  që me punën e tyre të përkushtuar ju kanë dhënë dije dhe kulturë me qindra e mijëra nxënësve, të cilët kanë kaluar nga bankat e kësaj shkolle.

Ndihesh mirë kur konstaton se fara e dijes dhe e arsimit ka gjetur përherë terren të shëndoshë në truallin e Sarandës arsimdashëse”, shkruan Meta.