Në prag të sezonit turistik, nisin punimet për rrugën e ‘Syrit të Kaltër’, operatorët: Do ulë numrin e turistëve

Nga Eliza Gjediku

Syri i Kaltër në Sarandë, një prej destinacioneve turistike më të bukura në jug të vendit, që çdo vit ka tërhequr me mijëra turistë, vijon të vuajë mungesën e infrastrukturës rrugore. Prej vitesh rruga që të çon në këtë perlë të natyrës është degraduar, teksa vështirësinë për të kaluar në të, e ka raportuar rreth një vit më parë nëpërmjet një artikulli edhe Porta Vendore.

Kalimi në këtë zonë këtë sezon do të jetë edhe më i vështirë se vitet e kaluara pasi kanë nisur punimet për rregullimin e rrugës, dhe vizitat nga turistët do të kryhen mes pluhurit. Ashtu siç ndodh në mënyrë paradoksale në vend, rehabilitimet, rregullimet dhe premtimet për investime ndodhin në prag të sezonit turistik.

E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit me punimet në infrastrukturën rrugore të Syrit të Kaltër. Edhe pse sezoni është zyrtarisht i hapur më 29 maj, Ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe Drejtorja e Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Vlorës, Lorela Lazaj, përuruan fillimin e punimeve për rregullimin e rrugës.

Në nisje të punimeve, drejtorja Lazaj tha se punimet do të zgjasin 2 muaj, nga dita e fillimit të tyre, duke kulmuar kështu në mesin e sezonit turistik.

 “Jemi sot këtu me praninë e Ministrit Klosi për të festuar dhe për të shpallur zyrtarisht inaugurimin e punimeve rehabilituese në zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër. Eshtë një projekt i mirë menduar për të ofruar tek vizitorët një eksperiencë krejt ndryshe, e cila për fat të keq nuk ka qenë ajo e duhura si për shkak të infrastrukturës, ashtu edhe për shërbimin që kjo zonë ka ofruar. Punimet do të zgjasin jo më pak se dy muaj dhe do të sigurohemi që firma që do të realizojë projektin të mos pengojë kalimin e vizitorëve në këtë zonë”, u shpreh Lazaj për mediat.

Në foto Lorela Lazaj drejtore e AZM, qarku Vlorë në nisje të punimeve. Foto: E. Gjediku

Ndërsa Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, teksa pranoi se ky investim duhet të kishte përfunduar pohoi se ishte tërmeti e pandemia që e shtyu në kohë atë.

“I gjithë investimi bëhet nga buxheti i shtetit, janë kryer të gjitha procedurat. Është një projekt i cili qarkullonte në zyrat tona prej disa vitesh, kemi pasur idenë për të realizuar një vepër të vërtetë në kombinim të turizmit dhe sigurisë maksimale që kjo zonë të mos preket. Ajo që na pengoi ta realizonim që vitin e kaluar kanë qenë problematikat e mëdha që ka kaluar Shqipëria qoftë tërmeti, qoftë pandemia të cilat kufizuan buxhetet e vitit 2020 për të mos pasur mundësi ta realizonim”, shprehej Klosi teksa inauguroi nisjen e punimeve.

Në foto Blendi Klosi Ministër i Turizmit në nisje të punimeve. Foto: E. Gjediku

Investimi që do të kryhet është parashikuar të arrijë në vlerën e 105.650.386 lekë pa TVSH, dhe si objekt i punimeve është “Përmirësimi i infrastrukturës dhe kthimi i parkut natyror ‘Syri i Kaltër; në destinacion eko-turistik”. Por me nisjen e punimeve dhe inspektimin e zyrtarëve, duket se nis edhe kalvari i gjatë që do t’i duhet kësaj zone të rehabilitohet pasi edhe pse infrastruktura rrugore u premtua se do të mbyllet për dy muaj, në tabelën e punimeve afati ligjor për realizimin e projektit është 10 muaj.

Tabela me detajet mbi punimet. Foto: E.Gjediku

Investimi i parashikuar është i mirëpritur nga operatorët turistik, por ata kanë rezerva për nisjen e punimeve në pikun e turizmit. Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Turizmit për jugun Arben Çipa thotë për Portën Vendore se punimet në këto momente nuk janë aspak të favorshme, pavarësisht se sipas tij punimet janë të rëndësishme nëse do të realizoheshin në një kohë tjetër.

“Në prag të sezonit nuk është fare e mirë. Punimet dy muaj na marrin gjithë sezonin. Në çdo rast të gjitha punimet duhet të bëhen kur turistët qoftë të huaj apo shqiptar nuk kalojnë aty, pasi normalisht turistët tani lëvizin. Normalisht duhet të ishte bërë shumë kohë më parë. Në rastin konkret kjo është gjë e mirë por të paktën në fund të korrikut të hapet rruga. Me situatën që jemi edhe muaji qershor iku pa turistë. Duam të besojmë që do të shtyhet sezoni për në muajin shtator-tetor”, shprehet Arben Çipa.

Të njëjtin qëndrim mban edhe Jeta Hoxha, përfaqësuese e një agjencie turistike në Tiranë, e cila shprehet se kryerja e rehabilitimit të rrugës në këto momente do ulin numrin e turistëve, pasi këto janë muajit që ‘Syri i Kaltër’ frekuentohet më shumë.

“Syri i kaltër është një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri, me një trend që sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Rehabilitimi i këtij parku është i nevojshëm, por sezoni veror është e vetmja periudhë kohore kur ky park ka gjithë vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe shqiptar, dhe punimet e kryera pikërisht në prag sezoni do të shkaktojnë një ulje të ndjeshme të turistëve në këtë atraksion”, thotë për Portën Vendore, Jeta Hoxha përfaqësuese e një agjencie turistike në Tiranë.

Por ndryshe mendon Fatos Demiri, pronari i një agjencie turistike në Sarandë lidhur me investimin e qeverisë për këtë atraksion turistik. “Më mirë vonë sesa kurrë. E rëndësishme është që të bëhet rruga. Ndoshta në fillim do të pengoj turistët, por nëse rruga përfundon do të bëhet më mirë në të ardhmen. Ndërkohë duhet punuar për pastrimin e menjëhershëm të zonës nga mbeturinat, mirëmbajtja e bimësisë dhe mbjellja e pemëve në zonë”, tha Fatos Demiri, përfaqësuesi e një agjencie turistike në Sarandë.

Të gjithë përfaqësuesit e sektorit të industrisë së turizmit thonë se pavarësisht pandemisë që e ka dëmtuar, ‘Syri i Kaltër’ mbetet një nga destinacionet më të preferuara në vend, jo vetëm nga të huaj por edhe shqiptarët.

“Është shumë i kërkuar si destinacion, pasi turistët e kroçereve që vijnë zgjedhin shumë syrin e kaltër. Më shumë janë turistë të Evropës perëndimore. Gjatë vitit të kaluar infrastruktura aty ka qenë tragjike e kemi ngritur dhe si shqetësim, janë vënë në dijeni”, pohoi Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Turizmit për jugun Arben Çipa.

Deklaratat e operatorëve turistikë konfirmohen edhe nga të dhënat e AKZM-së, pasi edhe pse në karantinë dhe në pandemi si pasojë e pandemisë COVID-19, ky park natyror është vizituar nga 32,984 turistë vendas e të huaj. Ndërsa në vitin 2019, që mbetet viti më i suksesshëm për këtë industri ‘Syri i Kaltër’ tërhoqi më shumë se 110 mijë turistë.

Përpos infrastrukturës, ky investim është parashikuar që ta kthejë zonën në një eko-park, ku do të ruhet bukuria natyrore dhe çdo investim do të kryhet në harmoni me mjedisin. Si drejtorja e AZM për qarkun e Vlorës, ashtu edhe ministri Klosi të bindur janë shprehur se brenda zonës nuk do të lejohet asnjë ndërtim apo shërbim akomodimi.

 “Është një zonë që nuk lejon asnjë investim, do duhet të mbetet ashtu siç e ka dhënë natyra por është një zonë që do duhet tu ofrohet turistëve me kushte normale”, tha Klosi nga Syri i Kaltër.

Ndërkohë në fazën e dytë të projektit do të punohet për ndërtimin e korsisë së biçikletave, vendosjen e një autobusi për transport si dhe po studiohet mundësia e vendosjes së trenit elektrik. Të gjitha këto kanë si synim mos lejimin e parkimit të automjeteve në zonën e mbrojtur.

“Unike do të jetë edhe mënyra se si kjo zonë do të aksesohet duke vendosur në dispozicion autobus për të ofruar udhëtim në grup dhe për të evituar trafikun e madh që ndodh në zonë në periudhën e sezonit kryesisht, si dhe lëvizje me biçikletë apo me tren. Punimet do të zgjasin jo më pak se dy muaj dhe do të sigurohemi që firma që do të realizojë projektin të mos pengojë kalimin e vizitorëve në këtë zonë”, u shpreh Lorela Lazaj, drejtorja e AZM, qarku Vlorë.

Përpos kohës kur po zhvillohen investimet e rëndësishme është që nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës për vizitorët, që është 50 lekë.

 “Viti 2019 shënoi disa qindra mijë që e vizituan këtë qendër dhe po ashtu shpresojmë që viti 2021 të sjell një numër të konsiderueshëm. Të ardhurat që do të sigurohen nga menaxhimi i kësaj zone të mbrojtur të vendit tonë, do t’i përdore agjencia për të krijuar një aset vërtet turistik. Nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave, është një aset i madh natyror dhe duhet ta shfrytëzojmë me shumë kujdes, ashtu siç vizitohet nga qindra turistë, duhet të jetë edhe një monument për shërbimin që ne ju ofrojmë turistëve”, pohoi ministri për mediat.

Ndërkohë bazuar në projektin e detajuar mbi këtë investim thuhet se do të ndërtohen edhe tre ‘ballkone’ me material druri dhe me xhama rrethues që vizitorët të shikojnë pamjen e luginës piktoreske dhe ujë i kristaltë nga lartë, një traditë e njohur tanimë në vendin tonë dhe e implementuar kryesisht në zonat veriore.

 “Ndërtimi i tre belvederëve me strukturë druri në tre pika të përshtatshme përgjatë shtigjeve që do të hapen, për krijimin e mundësisë së shëtitjeve këmbësore të vizitorëve. Ndërtimi i një belvedere në afërsi të burimit të Syrit të Kaltër, që konsiston në krijimin e një platforme me strukturë mbajtëse metalike të veshur me dysheme druri dhe parmakë xhami, nga ku vizitorët do të mund të shijojnë bukuritë e burimit të Syrit të Kaltër”, thuhet në relacionin e punimeve.

Foto nga relacioni i projektit.

Kalvari i premtimit për përmirësimin e infrastrukturës nisi në vitin 2015, kur ministri i atëhershëm i mjedisit Lefter Koka inspektoi punimet për rrugën hyrëse të Syrit të Kaltër, teksa deklaronte se do të punohet për përmirësimin e aksesit të zonave të mbrojtura nga vizitorët.

Më pas çështja u hap përsëri në vitin 2019, kur ministri aktual i turizmit Blendi Klosi e konsideroi menaxhimin dhe infrastrukturën e këtij parku ‘gangrenë’ e turizmit shqiptar, dhe premtoi mbyllje të punimeve në vitin 2020, por që u shtynë përsëri, ndërsa tanimë pritet të finalizohet rehabilitimi i premtuar për vite me radhë.

Syri i Kaltër.