Goditi arbitrin në Delvinë, gjykata Sarandës dënon me burg tifozin
Gjykata e Sarandës ka dënuar me 10 muaj burg Angjelo Hamitin, 30-vjeçarin që goditi arbitrin në Delvinë. Ai është shpallur fajtor për veprat penale: “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, kryer në ambiente sportive dhe në rrethana rënduese” dhe “veprime të dhunshme në aktivitetet sportive me pasojë moszhvillimin e aktivitetit sportiv, kryer në rrethana rënduese”.
Ai u akuzua për ngjarjen e ndodhur në 20 dhjetor të vitit të shkuar, në ndeshjen e vlefshme të Kategorisë së Dytë të Futbollit. Luhej sfida Delvina – Albpetrol në kuadër të javës së shtatë, teksa në minutën e 12-të të takimit, tifozët nisin të gjuajnë me gur pas një goditje këndi të akorduar për Albpetrolin.
Njëri prej tyre, konkretisht Hamiti, kapërcen rrethimin e fushës dhe godet arbitrin. Ndeshja u ndërpre ndërsa autori u procedua penalisht. Së fundmi Gjykata e Sarandës ka dhënë verdiktin përfundimtar duke e dënuar me 10 muaj heqje lirie.