Denoncim nga Ksamili, biznesmeni: Më kanë hequr pa të drejtë 400 metër katror plazh, i paguaj të gjitha taksat. Vjen dikush me ca letra dhe…

Sezoni turistik veror duket se nuk po kalon i qetë për bizneset në bregdet.

Një tjetër denoncim ka ardhur nga qyteti i Ksamilit ku një pronar biznesesh thotë se po i marrin pa të drejtë plazhin të cilin ai e ka në zotërim.

Sipas Artur Memsurit, atij po i hiqen 400 metër katror plazh nga një person i panjohur i cili është paraqitur me dokumente.

Biznesmeni rrëfen se e ka përdorur këtë plazh prej 26 vitesh dhe i paguan të gjitha taksat dhe detyrimet.

“Unë kam 26 vjet që përdor këtë plazh dhe kam paguar të gjitha taksat, detyrimet dhe gjobat që kam ngrënë në biznesin tim. Vjen dikush i panjohur paraqitet me letra dhe ma merr. Le ta gëzojë, por me çfarë të drejte po ma merr. Nuk ka asnjë lloj objekti prapa. I lutem kryeministrit t’i shohë këto gjëra se po na fut në sherre. Mua më hiqen 400 metra katror. Ka ardhur një person që nuk e njoh fare, nuk është nga Ksamili. Është paraqitur me një avokate që është shumë e fuqishme. Sot ishte ruajtur që të tremben njerëzit të largohen nga plazhi. Shteti taksat i do. Nuk mbaj mend ndonjëherë të kem detyrime të mbajtura. Unë disponoj dy hotele, një në buzë të detit, restorant dhe piceri. Nuk kam marrë asnjë kritikë. Të gjtha i plotësoj” – tha ai.