Çantën plot me euro të padeklaruara, 58-vjeçarja kapet “mat” në Kakavijë

Një 58-vjeçare është proceduar penalisht nga policia pasi është zbuluar me 20 mijë euro të padeklaruara në cantë teksa tentonte të kalonte kufirin.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, një automjet tip “Jeep”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në një vend të përshtatur në automjet, gjetën në çantën e shtetases Leonora Floku, 58 vjeçe (pasagjere në mjet), 20080 euro, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, 58-vjeçarja u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.