Shqiptarët protestojnë në Athinë: Hapni kufirin, duam të shkojmë te familjarët
Rreth 100 emigrantë shqiptarë protestuan mbrëmjen e sotme në sheshin “Sindagma” të Athinës për të kërkuar hapjen e kufijve mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Sipas protestuesve, mbyllja e kufirit ka dëmtuar rëndë komunikimin mes emigrantëve dhe familjarëve të tyre në Shqipëri, ndërsa numri i kufizuar i personave që lejohen të kalojnë në pikën kufitare të Kakavijës ka bërë që forma e udhëtimit të jetë tepër e vështirë.
Protesta zgjati për rreth 1 orë, ndërsa policia ka marrë masa sigurie.
Situata e krijuar në pikat kufitare mes vendit tonë dhe Greqisë, duket se ka filluar të shqetësojë edhe vetë autoritet greke ,të cila një ditë më parë njoftuan se të mërkurën do të mblidhet jashtë radhe komisioni i ekspertëve për të lehtësuar një sërë masash, mes tyre edhe shtimin e kapaciteteve në pikat kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë.