Operacioni i prishjes së ndërtimeve pa leje në Ksamil, Çuçi: Askush s’mund të ndërtojë më vend e pavend

Operacioni “Bregdeti ynë”, në kuadër të të cilit do të prishen ndërtimet pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit, ka vijuar edhe sot.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka publikuar sot një video të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ku tregohet vijimi i prishjes së ndërtimeve pa leje në Ksamil.

Çuçi u shpreh se ky operacion po kryhet për të çliruar pasurinë tonë të përbashkët nga ndërtimet pa leje, si dhe për të vëmë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit.

Ministri Çuçi theksoi se askush s’mund të ndërtojë më vend e pavend, askush s’mund të ndërtojë pa leje e të zaptojë territor.

“Vijon operacioni Bregdeti Ynë për të çliruar pasurinë tonë të përbashkët nga ndërtimet pa leje, si dhe për të vëmë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit. Askush s’mund të ndërtojë më vend e pavend, askush s’mund të ndërtojë pa leje e të zaptojë territor”, u shpreh ministri Çuçi.

Operacioni “Bregdeti ynë” synon pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje.

Pas evidentimit të këtyre ndërtimeve, strukturat shtetërore kanë njoftuar subjektet përkatëse. Paralel me lajmërimet e subjekteve aksioni është koordinuar edhe me zyrën e legalizimeve për t’i prerë rrugën e legalizimit të gjitha objekteve të evidentuara.

Përveç “beach bareve” pa leje, aksioni do të përqendrohet tek ndërtimet e qëndrueshme me beton dhe do të shtrihet përgjatë gjithë bregdetit.

Kjo konsiderohet si faza e parë e aksionit dhe pas sezonit turistik, në muajin shtator, do të vijohet edhe me ato ndërtime pa leje që janë të palegalizueshme për shkak të natyrës që kanë.