Kryebashkiaku i Sarandës: Duam 800 mijë turistë sa në 2019

Kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma, i pyetur për urdhrin e institucionit që ai drejton, për ndalimin e të gjithave aktiviteteve në ndërtim gjatë sezonit të verës, thotë se në fokus të qytetit bregdetar gjatë muajëve të verës janë turistët.

“Ne kemi nxjerr një urdhër që nuk është gjeneruar këtë vit për herë të parë. Por ka qenë dhe më parë. Aktivitetet e ndërtimit që gjenerojnë zhurma janë të gjitha të ndaluara. Të gjitha subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari kanë mundësi të marrin masat”, tha Gurma.

Për numrin e turistëve, kryebashkiaku i Sarandës tha në Report Tv se dëshiron që këtë vit të arrijë shifrën e 800 mijë turistëve që ishin në vitin 2019, gjatë sezonit të verës.

“Referencat ne i bëjmë me vitin 2019. Ka qenë vit etalon. Kemi qenë 800 mijë turistë. Këtë vit duam ti afrohemi atij viti, pse jo ta arrijmë. E dimë që do ketë fluks turistësh në korrik dhe në gusht, dhe me turistë nga rajoni. Synojmë ti afrohemi numrit të turistëve në vitin 2019, rreth 800 mijë turistë që ishin atëherë”, shtoi ai.

Për ndarjen e plazheve për operatorët turistikë dhe monitorimin e situatës me klabet e natës, Adrian Gurma shtoi se Bashkia ka vetëm rol monitorues, sanksionet i vendos Policia. “Bashkia ka rol monitorus, kurse rol sanksionues ka Policia e Shtetit. Bashkia është në terren për monitorimin e situatës dhe zgjidhjen e saj hap pas hapi.”