Gurma informon qytetarët: Në Sarandë nuk ka asnjë të prekur me koronavirus, do e kalojmë me sukses këtë situatë

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për shtyp, në lidhje me masat e marra ndaj koronavirusit.

Gurma garantoi se masat janë të larta në pikat doganore si në Qafë Botë ashtu dhe në port.

Gjithashtu, Gurma theksoi se deri më tani në Sarandë nuk ka asnjë rast të dyshuar me COVID 19.

“Pas vizitës së sotme në Spitalin e Sarandës ju konfirmoj se nuk ka asnjë rast me koronavirus.

Sa i përket hyrjeve gjatë tre ditëve të fundit në Portin e Sarandë kanë hyrë 138 shtetas, nga të cilët 82 janë shqiptar dhe 56 janë të huaj, ndërsa në Qafë Botë kanë hyrë 693 shtetas shqiptar dhe 546 të huaj.

Apeli im është që të gjithë qytetarët duhet të jenë të qetë. Duhet të zbatojnë të gjitha orientimet dhe këshillat që janë shpërndarë si nga mediat ashtu dhe Institucionet.

Ne jemi në dispozicion në 24 orë në shërbim të qytetarëve për ta kaluar këtë situatë me sukses”, tha Gurma gjatë konferencës për shtyp.

Gjatë këtyre ditëve Bashkia Sarandë ka dezinfektuar të gjitha ambientet publike. /Sarandanews/