“Bastiset” zyrat e prokurorit Sali Hasa, sekuestohet kompjuteri dhe serveri
Policia ka sekuestruar komjuterat dhe serverat e Prokurorit të Sarandës, Sali Hasa, i cili është është arrestuar me urdhër të kolegëve të tij në Prokurorinë Speciale SPAK.
Zyra e prokurorit është bastisur me urdhër të SPAK.
Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, bëhet me dije se hetimet kishin nisur për disa vepra penale, kryesisht “trafik droge” dhe “grup kriminal”, dhe më pas janë zbuluar dy skema të tjera.
Sali Hasa akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Ka qenë një dosje që ai kishte në dorë dhe po bënte hetime, e cila “i ka bërë gropën” prokurorit të Sarandës.
Teksa Hasa kryente hetime për Emiljano Miranin, motra e këtij të fundit Elsona Papa i ka shkuar në zyrë dhe i ka dhënë para. Mirani akuzohej për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe pasi prokurori mori paratë, hetimet ndaj të pandehurit të sipërpërmendur u pushuan.