Anëtari i Këshillit Bashkiak të Sarandës Albert Sula vijon pretendimet se i është hequr padrejtësisht leja

Konfliktet për menaxhimin e vijës bregdetare duket janë shtrirë nga veriu në jug. Pas ngjarjeve të shënuara në Velipojë dhe Dhërmi, një konflikt është regjistruar në Ksamil ditën e djeshme.

Pronari i një hoteli, Albert Sula, njëherësh dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës është përplasur me punonjësit e policisë, të cilët kanë shkuar për të hequr çadrat dhe shezlongët në pronësi të tij dhe kanë vendosur ato të dikujt tjetër.

Sipas biznesmenit, ai e shfrytëzon prej 15 vitesh hapësirën e përcaktuar nga institucionet, ndërsa tashmë Sula thotë se sipërfaqja i ka kaluar një punonjësi policie në mënyrë të padrejtë.

Sula pohon për Euronews se e ka marrë kontratën te Ministria e Turizmit por bashkia nuk pranon pagesën e kontratës sepse ka marrë pagesën nga pala tjetër.