Si do t’i presë turistët Greqia?
Greqia ka nisur fushatën e saj për turizmin ende pa u hapur zyrtarisht për shkak të situatës së pandemisë. Ministri i Turizmit, Haris Theoharis, prezantoi disa prej pikave kryesore të planit të qeverisë për rihapjen që pritet të bëhet të premten ku do të mirëpriten turistët e huaj në vend. Për këtë ngjarje është organizuar një event në një resort në Attica.
Sipas ministrit grek të gjithë udhëtarët në Greqi duhet që të plotësojnë një Formular Vendndodhje të Udhëtarit, ku do të tregojnë me detaje se ku do të qëndrojnë, sa gjatë do të pushojnë dhe do të duhet që të tregojnë certifikatën e vaksinës antiCovid, ose testin negativ PCR, ose një dokument zyrtar që dëshmon se pasagjeri e ka kaluar virusin.
Theoharis tha se do të ngrihet një sistem për të bërë teste Covid në destinacione të ndryshme turistike. Qeveria nga ana tjetër do të përdorë me qira hotele për t’i përdorur më vonë si stacione karantine nëse do të ketë shpërthime të virusit. Ai u shpreh se do të dalin protokolle sigurie për muzetë, operatorët e autobusëve turistikë, kompanitë e jahteve dhe bizneset e lidhura me turizmin.
“Sfida këtë vit nuk është që të promovojmë atraksionet natyrore të vendit, por sigurinë”, tha Theoharis.
Çështja e turizmit është në fokusin kryesor të vendeve që ofrojnë për turistët pushime gjatë verës. Ndër to është edhe Shqipëria. Qeveria jonë ka miratuar një fond për promovimin e turizmit shqiptar këtë vit.
Qeveria ka menduar që të ofrojë para që të mbështesë promovimin e turizmit duke e promovuar Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare post Covid-19 si një destinacion mikëpritës dhe Covid-free.
Ndryshe nga një vit më parë sezoni turistik shqiptar, këtë vit pritet të ketë zhvillim për shkak të lehtësimit nga pandemia. Sipas autoriteteve shëndetësore situata e përmirësuar e Covid ka ardhur si rezultat i imunizimit natyror dhe vaksinimit të popullsisë.