Shkarkimi presidentit, Alket Hyseni kërkon gjykimin e Metës me drejtësi nga Komisioni Hetimor

Këtë të shtunë është zhvilluar mbledhja e Komisionit të Posaçëm për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta. Klotilda Bushka është zgjedhur sekretare e këtij Komisioni, ndërsa me 9 vota pro është miratuar plani paraprak i hetimit për shkarkimin e Presidentit.

Kryetari i Komisionit Alket Hyseni, tha se ky është rasti i parë ku 49 deputetë kanë bërë kërkesë për shkarkimit e Presidentit të Republikës.

Gjithashtu ai theksoi se Komisioni do të hetojë nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u shprehur se përtej politikës vendimet do të bazohen vetëm tek Kushtetuta.

“Sot paraqesim një plan paraprak, i cili nuk është përfundimtari. Në mbledhjen tjetër do të marrim sugjerimet nga anëtarët në mënyrë që të sigurojmë prova për kërkesën e ngritur nga 49 deputetët. Ky Komision ka të drejtën për ta thirrur presidentin në një dëgjesë”, tha Hyseni, ndërsa apeloi për marrjen e vendimeve të drejta për këtë çështje.

Anëtari i këtij Komisioni, Spartak Braho tha se duhet të përcaktohet fondi në dispozicion të Komisionit.

“Ne do të hetojmë nëse ka shkelje të rëndë apo jo nga ana e Presidentit të Republikës. Ne duhet të jemi shumë korrekt me median. Për mua as Prokurori dhe as Gjykata nuk duhet të flasë publikisht. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për këtë çështje, nuk duhet të prononcohemi me qëllim që të shmangim akuzat e pamatura”, tha ai.

Ndërsa Vasilika Hysi, propozoi që në përfundim të çdo mbledhjeve të bëhet një prononcim për mediat për diskutimet dhe qëndrimet e mbajtura gjatë mbledhjes.

Ndërkohë anëtari Myslim Murrizi, në këtë mbledhje kërkoi nga agjencitë ligjzbatuese informacion nëse ka pasur apo jo takime të Metës që mund të kenë nxitur dhunë.