Plazhet në Ksamil dhe “vjedhja” e liqenit të Butrintit, institucionet vendosin gjoba fantazmë

Më 1 Korrik 2017, Kryeministri Edi Rama, do të postonte një foto të plazheve të Ksamilit, duke e cilësuar qytezën jugore si një prej destinacioneve më të preferuara.

Ju uroj një ditë të mbarë me këtë pamje fantastike nga plazhi i Ksamilit, një prej destinacioneve më të preferuara të turistëve vendas e të huaj”, përshëndeti Rama katër vite më parë. Por për Ksamilin, veç mbarë nuk po shkon. Teksa industria e Turizmit që është në qendër të vëmendjes në këtë qytezë, po përballet me vështirësi të shumta për shkak edhe të Covid-19, bukuritë që joshin turistët në qytezën jugore, janë në rrezik dhe mund të zhduken nga çasti në çast. Në liqenin e Butrintit janë hedhur inerte të cilat janë sistemuar, por autorët që e kanë kryer këtë veprim mbeten të panjohur. E njëjta gjë po ndodh edhe me plazhet e Ksamilit, ku lufta për të fituar sa më tepër vijë bregore ka po ashtu ndikim negativ.

Po mbushet liqeni!

Seraldo Nebo, i diplomuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, 31 vjeç, është një nga shumë djem dhe vajza të reja të Ksamilit, të cilët pasi kanë përfunduar studimet e larta në kryeqytet, kanë zgjedhur që të rikthehen në qytetin e lindjes, për të ushtruar profesionin e tyre. Hapi i parë që hodhi ishte të bashkonte të rinjtë në sipërmarrjen e ruajtjes së Ksamilit.

Shoqata për Lëvizjen për Zhvillimin e Turizmit në Ksamil, hapi dyert në 2016, duke angazhuar të rinj të profesioneve të ndryshme, por që i bashkon qëllimi për një turizëm të qëndrueshëm që ndihmon Ksamilin dhe banorët e zonës.

Në lidhje me shoqatën, me statut e kemi të përcaktuar qartë që shoqata do të merret me çdo problematikë mjedisore në zonën e Ksamilit. Dhe për këtë arsye kishim një projekt, ku tagër kishim dy zona atë të Pallavraqit si dhe atë të ishujve. Lidhëm një kontratë ku AKZM-së i vendosnim një ranger shtesë”, shprehet Seraldo. Në një nga vëzhgimet e tij, ranger-si konstatoi se në zonën e Pallavraqit në Liqenin e Butrintit po mbusheshin pjesë të liqenit. Shoqata e të rinjve të Ksamilit vendosi në dijeni Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që ka nën monitorim Parkun Kombëtar të Butrinit ku përfshihet edhe Liqeni i Butrintit. Mbushja me inerte e liqenit që gjendet në një zonë të mbrojtur, sistemimi dhe ngjeshja e tyre u përshkrua më pas në raportet e AKZM.

Në raportin e inspektimit nga Administrata e Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, thuhet se në datë 13.03.2021 “Është bërë nga ana jonë inspektimi në zonën e Pallavraqit, ku janë konstatuar hedhje inertesh dhe urbane, të hapura dhe të ngjeshura, ku gjatë zonës janë mbjellë edhe disa pemë. Kjo ndodhet brenda PK (Butrinti) zonës të mbrojtur brenda vijës së verdhë”. Alarmi në raportin e inspektimit të mbajtur nga specialistët e AKZM Vlorë, përforcohet më tej teksa, specialistët pranojnë se kontaktuan me policinë lokale që ende nuk i ka zbuluar autorët mbasi sipas dyshimeve të tyre inertet janë hedhur gjatë natës.

Ping – pong për gjetjen e autorëve

E pyetur zyrtarisht se çfarë hapash janë ndjekur për këtë problematikë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, drejtoria e Menaxhimit, Projekteve dhe Monitorimit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, shprehet se ka komunikuar me institucionet përgjegjëse të specializuara në marrjen e masave. “Duke qenë se sipërfaqja ku është realizuar ndërhyrja është jashtë fondit kullotë dhe pyjor dhe gjendet brenda zonës urbane të qytezës së Ksamilit, konkrektisht me shkresë nr. protokolli 91, datë 02.04.2021 “Kërkesë për bashkëpunim dhe marrje masash”, AdZM Vlorë i është drejtuar përkatësisht: z.Ardian Gurma, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Sarandë, Z. Simbol Pazaj, Drejtor Rajonal i IKMT-së Rajonale dhe Komisariatit të policisë Sarandë për bashkëpunim në hetimin e rastit me qëllim identifikimin e autorit dhe marrjen e masave sipas legjislacionit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të AKZM-së.

Ndërkohë në dokumentat që zotëron Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Sarandës, pas një kontrolli në një subjekt të paidentifikuar ka vendosur jo vetëm prishjen e objektit të kundraligjshëm dhe kthimin e tokës në gjendjen e mëparshme por edhe dënimin e personit të paidentifikuar. Vendimi rezulton të jetë firmosur në datën 15 Mars 2021.

Një ditë më vonë, nga ky institucion del vendimi tjetër me numër 25, ku vendoset gjobitja në vlerën 500.000 lekë në adresë të panjohur dhe me shkelës të panjohur, i cili theksohet se nuk u bë e mundur të identifikohet. “Në mungesë të një adrese, dhe të të dhënave personale se cili do të jetë kundravajtësi ku do të ekzekutohet kjo gjobë, automatikisht ajo është e pavlefshme dhe e paekzekutueshme. Kjo është një gjobë për procedurë” , tha një jurist për ACQJ.

AKZM nga ana e saj, bën me dije se Bashkia e Sarandës në shkresë-këmbimin zyrtar ka njoftuar se ky rast do të referohej pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës.

Ekspertët: Ligji është shkelur, të merret seriozisht

“Aty është bërë zaptim, pasi janë hedhur bazat, janë sistemuar dhe janë mbjellë edhe pemë”, kështu e nis përshkrimin e tij Olsi Nika, drejtues i Ecoalbania kur pyetet për hedhjen e bazave në liqenin e Butrintit.

“Ajo është brenda zonës së mbrojtur dhe Parku Kombëtar i Butrintit është bërë park veç prej lagunës, se ka qenë park arkeologjik dhe është përfshirë edhe vija bregore”, thotë Nika duke shtuar se me vendimet e fundit që ndryshuan kufinjtë e zonave të mbrojtura, vijën bregore e kanë përgjysmuar duke e nxjerrë nga harta e zonave të mbrojtura.

“Vetë hedhja e bazave krijon shqetësin në çekulibrimin e balancave që ka laguna. Lagunat janë ekosisteme shumë të brishta, që ndikimi më i vogël mund të çojë në shkatërrim total. Prishet integriteti i Parkut vetë. Prandaj linja bregore lihet dhe nuk ndërhyhet në të fare. Faktori kufizues ekologjik i lagunave është këmbimi ujor me detin dhe ujin e ëmbël, ndryshe shkatërrohet plotësisht. Dhe kur ti shkon dhe krijon një presion sado të vogël, duke krijuar rrjedhje të tjera uji, aq më tepër ujëra të ndotur, imagjino çfarë mund të ndodhë”, këmbëngul Nika, duke theksuar se prishet integriteti i parkut.

Edhe për Shkëlqim Hajno, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Joniane të Mjedisit, Medias dhe Informacionit, mbushja e pjesëve të liqenit do të impaktojë negativisht ekosistemet në liqenin e Butrintit.

Ekosistemet në Liqenin e Butrintit, edhe aq sa janë, janë të rrezikuara për shkak të oksigjenimit të pamjaftueshem pasi një rrjedhje e dikurshme që shkonte nga lumi i Bistricës jo vazhdimisht ka funksionuar gjatë këtyre dekadave të fundit. Pra kërcënohen gjallesat drejtëpërdrejtë, jo vetëm midhja. Liqeni i Butrinit është një hambar edhe i gjallesave të tjera, si gaforrja, peshqit e llojeve të ndryshme dhe ngjalave të llojeve të ndryshme”, deklaron Hajno.

Përveç kësaj problematike, edhe plazhet e Ksamilit të lakmueshme nga mijëra turistë, janë nën rrezik.

“Plazhet në Ksamil, ato që janë sot, 90% e tyre janë plazhe të krijuara. Pra janë marrë me qira nga komunat dhe më pas janë sistemuar, pra janë gërrmuar për të rritur sipërfaqen dhe është hedhur rërë e bluar e cila impakton të gjithë hapësirën e vijës bregdetare dhe me sy të lirë dallohet, pasi zakonisht i hedhin jo ditën, duke patur parasysh ndjeshmërinë që është rritur, por edhe ashpërsimin e kuadrit ligjor për krimet mjedisore. Por kjo praktikë vijon, pasi deri më tani nuk ka patur një kontroll rigoroz nga struktura qeveritare, si ka qenë Agjencia e Bregdetit etj”, nënvizon Shkëlqim Hajno, i cili vë në dukje se mungojnë totalisht sinjalistika në këto zona. Eksperti veçon se ndërgjegjësimi nuk mjafton.

Nga ana tjetër Olsi Nika tregon se tashmë janë humbur dy ekosisteme shumë të rëndësishme mesdhetare të plazheve shkëmbore në Ksamil.

“Deti ndahet në disa kate, pra kati që ne e quajme tikalitorali dhe infralitorali janë transformuar plotësisht. Tikalitorali është zona që ndodhet mes detit dhe tokës dhe laget vetëm nga stërkalat e dallgëve dhe aty ka një botë të gjallë shumë interesante dhe e gjen përgjithësisht vetëm në bregun shkëmbor. Ajo është humbur. Por edhe Infralitorali që është pjesa e bregut shkëmbor që mbulohet dhe zbulohet në bazë të valëve dhe baticës e zbaticës është humbur praktikisht”, thotë ai duke vënë në dukje se edhe pse mund të pretendohet se është fituar një kat i faunës ranore, nuk është e vërtetë pasi rëra e hedhur nuk është rërë natyrore por e përfituar nga shkëmbij gëlqeror.

“Kjo rërë duke u hedhur në det, sa herë është nën efektin e dallgëve krijon një turbulli të bardhë ngjyrë qumështi, e cila ul depërtimin e dritës së diellit, ul oksigjenin dhe nuk lejon vendosjen e jetes aty. Por edhe nga pikëpamja e plazheve, ti lahesh në një llum gëlqeror që ka efekt bazik edhe për lëkurën tënde, që vetëm gërryen”, përfundon ai.

Në 14 Maj 2021, kryeministri Rama i kërkoi Policisë së Shtetit një nisje të menjëhershme të një aksioni ndaj ndërtimeve pa leje, për policinë dhe çdo institucion përgjegjës në zonën e Ksamilit, deklarata e kreut të qeverisë nuk ka mbërritur ende./Albania Center For Quality Journalism/