Në prag të sezonit turistik nis rregullimi i rrugës! Syri i Kaltër ‘thith’ turistët e huaj mes ‘pluhurit’

Jo vetëm bregdeti i vendit por edhe monumentet natyrore po tërheqin një numër të konsiderueshëm turistësh. Syri i kaltër është një nga destinacionet që po preferohet çdo ditë e më shumë. Turistët nga Polonia dhe Çekia sfidojnë ujin e ftohtë në Syrin e Kaltër dhe zgjedhin të bëjnë zhytje.

Një pjesë e tyre vijnë për herë të parë por vendet që kanë vizituar i bëjnë që të rikthehen përsëri.

“Shqipëria është një vend shumë i bukur, me male të bukura dhe nuk e kisha vizituar më parë. Mendoj se do kthehem prapë. Vitin që vjen mbase.  Është më të vërtet shumë i bukur, do të doja të dija sesa i thellë është , mbase edhe do të notoj aty. Ne do të qëndrojmë edhe dy javë të tjera këtu, kemi qëndruar një javë deri tani dhe do të jemi këtu edhe për dy të tjera”, thotë njëri nga turistët.

Është hera ime e dytë në Shqipëri dhe vendi më duket shumë i bukur. Së pari këtu ka shumë natyrë të bukur, ka çdo gjë, liqene, dy bregdete, male por nuk duhet të harrojmë se njerëzit janë jashtë mase mikpritës. Sigurisht edhe ushqimi është jashtëzakonisht i shijshëm por duhet të kujdeseni pak që të mos shtoni në peshë. Do të rikthehem sërish në Shtator por kësaj here në Shkodër dhe në Theth”, thotë një tjetër turiste.

“Jam shumë i lumtur se pata mundësinë të vizitoj Syrin e Kaltër, ka qenë një nga vendet që doja të vizitoja me çdo kusht në Shqipëri. Është me të vërtet shumë i bukur, impresionues”, pohon turisti tjetër.

Vizita në këtë monument nuk përfundon pa marrë edhe një copëz të tij me vete.Prej 15 vitesh Alketa Isufi shet sende me motive kombëtare në këtë zonë, thotë se më shumë kërkohen punimet e dorës.

“Këto javët e fundit ka pasur jo shumë por po vijnë. Janë shumë ukrainas janë shumë polak. Jam këtu që nga viti 2006, dhe nga viti 2017 turizmi ka qenë gjithnjë në rritje. Turistët e huaj më shumë kërkojnë punimet e dorës. Unë vetë punoj shumë dhe pothuajse më të shumtat e punimeve i kam të miat. Turistët marrin flamurin si simbolin dhe si shenjë që kanë qenë këtu, marrin bluza shalle, peshqir, varëse çelësash i kërkojnë t’i marrin”, shprehet tregtarja.

Syri i kaltër  vitin e shkuar është vizituar nga rreth 33 mijë turistë vendas e të huaj, ndërkohë këtë vit pritet dyfishimi i kësaj shifre, përpos infrastrukturës rrugore aspak të favorshme.

Siç ndodh shpesh, autoritetet kujtohen t’i kryejnë punimet në nisje të sezonit. Edhe rehabilimiti  i rrugës për në syrin e Kaltër nisi të premten, pasi projekti prej vitesh flinte në zyrat e administratës, shtyrë edhe nga tërmeti e pandemia. Në këto 2 muaj të parashikuar për punimet me fondin mbi 105 milionë lekë nga buxheti i shtetit, nuk do të ketë korsi shtesë duke lënë sërish “dhurata” kaosin për të parkuar automjetet.

“Tarifa edhe pas punimeve rehabilituese në këtë zonë do të vazhdojë të jetë aq sa ka qenë gjithmonë 50 lekë për person. Në vitin më të mirë 2019, kanë qenë 33 mijë automjete këtu që është shumë e vështirë për tu menaxhuar duke pasur parasysh edhe kapacitet njerëzore që kemi ne këtu, por infrastruktura është një-kalimshe dhe fluksi është i lartë”, tha Lazaj.

Zgjidhja shihet në projekte më madhore, që si të tilla, vështirë të mendohen si të afërta në implementim.

“E vetmja mundësi që ne thamë se do ta zgjidhte këtë problem ishte një alternativë e re, si pista e biçikletave, apo treni elektrik që do mundësonte udhëtimin me orar të pasagjerëve ishte një ide tjetër”, pohoi drejtoresha.

E sigurt është, se Syri i Kaltër do t;i mbetet vetëm kafes relaksuese që shijon mbi ujin e kristaltë, pasi rreth e rrotull nuk do të ketë struktura akomoduese me fjetje.

“Janë vizitor ditor shumë rrallë kalojnë natën këtu pasi përveç se me kamping nuk kanë asnjë lloj tjetër akomodimi, kështu që pjesa më e madhe e tyre janë pushues kalimtar. Një nga objektivat është si të diversifikonim mundësitë dhe aktivitet që një person mund të zhvillojë në këtë zonë përveç se të shikojë dhe shijoj monumentin në vetvete”, pohon ajo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *