Tragjedia italiane s’ka fund, ia kalon dhe Kinës, 3405 viktima, 427 në 24 orët e fundit

Vijon me ritme të larta bilanci i viktimave dhe i të prekurve me koronavirus në Itali.Në konferencën për shtyp të së enjtes kreu i Mbrojtjes Civile, Borrelli njoftoi se numri i viktimave në 24 orët e fundit është rritur me 427 duke e çuar në 3405 ndërsa janë 33 mijë të prekur në total.

Autoritetet italiane i bëjnë apel të gjithë mjekëve dhe infermierëve që kanë dalë në pension gjatë dy viteve të fundit, si dhe atyre të punësuar në struktura private që të vendosen në dispozicion në këto ditë të vështira.

Edhe Ekipet kineze të ardhura në ndihmë të popullit italian kanë thënë se Italia duhet të marrë masa më të rrepta për të luftuar koronavirusin se ndryshe nuk e përballojnë dot. Në një konferencë për shtyp me presidentin e Lombardisë Attilio Fontana, ata theksuan se shumë gjëra nuk po funksiononin siç duhej në luftën ndaj COVID-19.

”Ju me sa duket akoma nuk e keni kuptuar me çfare keni të bëni. Ne shohim që në Milano ka akoma qytetarë që lëvizin rrugëve, ështe e pakuptueshme se përse ka akoma metro që punojne. Nuk shikoj njerëz të mbajnë maska”, theksoi mjeku i ekipit kinez.