Bujar Leskaj takime me PD Delvinë: Humbëm por patëm rritje votash, Rama nuk do e gëzojë fitoren
Deputeti i zgjedhur si dhe drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Bujar Leskaj, është rikthyer në qytetin e Delvinës pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit.
Leskaj ka zhvilluar takime me numëruesit, komisionerët e anëtarët e degës së PD Delvinë, duke i falenderuar për kontributin e tyre.
Leksaj theksoi se në këtë qytet PD pati rritje votash në krahasim me 2017, ndërsa shtoi se Rama këto zgjedhje të blera nuk do i gëzojë.
“Zhvillova një takim me numëruesit, vëzhguesit e komisionerët e Partisë Demokratike në bashkinë e Delvinës.
I falenderova për punën, përkushtimin, devotshmërinë e treguar, jo vetëm gjatë fushatës, por edhe gjatë procesit të numërimit e mbrojtjes së votave nga ana e tyre.
Puna e tyre dhe e strukturave të partisë gjatë fushatës dha frytet e veta, sepse kjo bashki pati rritjen më të madhe në zgjedhje, 73% të votave në mbështetje të Partisë Demokratike në krahasim me zgjedhjet e mëparshme të 2017.
Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin e PD Delvinë, Hari Imeri, kandidatin për deputet, Julian Zoto, strukturat e degës dhe bordet pranë PD.
Falenderim për anëtarët e Forumit Rinor dhe angazhimin e tyre në këtë fushatë si mbështetës aktivë e të pandarë të PD.
I garantova miqtë demokratë që Rama këto zgjedhje të blera as nuk duhet t’i gëzojë e as do t’i gëzojë.
Strukturat e Partisë Demokratike të Delvinës, si në mbarë Shqipërinë do të vazhdojnë përballjen me regjimin e Ramës deri në rrëzimin e tij, duke grumbulluar të gjitha faktet që dëshmojnë për blerjen e votave, por edhe do të jenë në krah të luftës të kryetarit Lulzim Basha, për zbardhjen e plotë të manipulimeve e masakrës elektorale të 25 prillit”, shprehet Bujar Leskaj. /Sarandanews.com/