Agim Mato, ky pluhur i artë poetik mbi brigjet e Sarandës

Nga Josif Papagjoni

Agim Mato, poeti i detit, i frangofiqve mbirë mbi shkëmbinj, i guaskave dhe gjallesave ujore, i bokërimave të “qiejve”, i hapësirave blu lart e poshtë, dhe i trishtimit, dhe i thellësive të zemrës, edhe i lules, dhe i dashurisë, ky bard i rrallë që Saranda nxori ndër vite, u nda nën lëngatë nga jeta. Lajmin ma dha heret nje nga miqte e tij te perhershem, Pandeli Koçi.

Unë e kam nisur udhën me Gimen herët, qysh në fëmijëri. Ishim diku afër në Sarandën tonë të vogël, na ndante Muri i trashë i Onhezmit, që shpesh bëhej “kufiri” i betejave me shpata e gurë mes nesh si fëmijë të dy lagjeve “armike”. Pasi grindeshim, me “Urraaaa”, përqafoheshim, dhe luanim në dëlirësinë dhe pafajësinë tonë. Dhe kur nisëm shkollën në fillim te godina e vjeter rrëzë stadiumit të lojërave me dorë e më pas të shkolla e re “Adem Sheme”, e mbaj mend me çantën e tij prej rrobe të trashë, që e mbanim të gjithë mbi shpinat e njoma, në varfërinë tonë “dinjitoze”. Pastaj kujtoj vitet e gjimnazit, ku Gimja kishte veçanërisht miqësi me Xhemal Maton dhe Markon, që e mbajti gjithë jetën. Unë kisha në klasë vëllain e tij, Parimin. Gimit nuk iu dha e drejta e studimit, paçka se talentin e mbante brenda në gjoksin dhe zemrën e tij të madhe. Ai u dashurua me shoqen tonë të klasës, Yllkën, që unë e kisha edhe gjitone dhe kam pasur e kam kaq shumë respekt. Dhe pastaj nisën vitet e ëndrrave derdhur në vargje e letër. Ai u bë bardi i vargut poetik, që ndër vite i rriti flatrat. Dhe per te gjithe ne ishte poeti sa i ëmbël, sa fluturak e sa ëndërrimtar, aq dhe i mbushur plot përvuajtje, mendime, filozofi jete. Mbi shpinë fati i hodhi gurë e mallikme, sepse vinte nga familje e persekutuar. Por ai, me urtësinë dhe heshtjen e tij si prej banori të Olimpit të njëhershëm, i duroi dhimbjet nga fuqia e gurëve që i binin mbi shpinë. Ne të tjerët nuk na ranë aq shumë gurë. Por Agimi e tejkaloi mallkimin përmes taletit, poezisë. Trysninë e përbindëshave të njëhershëm që ia ndalonin këngën si Orfeut qëmoti dhe e brengosnin me pa të drejtë, e detyroi poetin t’i ngjante asaj guaskës së zbrazur, flakur mes guralecëve të yjeve, si spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët:

“I mbyllur shpirti,/ E mbyllur kënga,/ Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt,/ Dhe, oh, me sa kujdes i hidhja këmbët/ të mos shkelja/ aty ku më prisnin greminat”.

Agim Mato si poet shkoi përtej qytetit të tij, Sarandës. Ka një emër në poezinë shqipe, nisur me tre vëllimet e tij poetike para vitit 1990: “Jug”, “Në pragun e shtëpive tona”, “Buka e fjalëve” dhe më tutje me të tjerë si: “Jashtë eklipsit”, “Fundo”, “Lundrimet”. Vëllimi i fundit, “Pluhuri i artë i përjetësive”. Poeti është gjithëpo ai, me imazhet dhe mbresat e detit, me brigjet si dhe gjithë leksikun zoomorf dhe fitomorf që lidhet me to, nga njëra anë dhe me përjetimet për çka ngjet aty thellë, në shpirtin e tij, nga fëmijëria vrapacake dhe naive tek rinia dhe flukset dashurore, më tutje me shqetësimin e kohës, turbullirën dhe dhëmbët e hekurt të diktaturës, nën një pafajësi sa rebele aq dhe të trishtë. Në rininë time dhe më tutje kisha qejf të bisedoja me Agimin për letërsinë e veçmas për poezinë. E kishte fituar qysh atëherë në fundvitet ’60 më librin “Jug” statusin e poetit të lakuar, që shkruante “ndryshe”, përtej robërisë së rimës dhe klisheve të ngulura, duke kërkuar hapësira intime të një bote që këndellej e habitej nga stërkalat, guaskat, pulëbardhat, fiqtë e detit, dallgët, anijet dhe njerëzit dhe jo nga heronjtë dhe heroizmat butaforikë të kohës e poezisë së vendosur në rresht. Këtë qasje nuk e largoi kurrnjëherë edhe në librat e tjerë, duke dëshmuar lidhjen e brendshme me qytetin e tij. Asokohe e shihja shpesh që dilte vetëm buzë detit, i mjaftonte vetvetja, meditimet dhe përjetimet e tij poetike. E dija se kishte një “biografi” të keqe, andaj dhe nuk hapej lehtë. Por një ditë, duke ecur shëtitores, ai u hap me shume nga ç’duhej. Folëm çapraz për letërsine, lirine krijuese dhe ashtu, pa kuptuar, shkuam të një tjeter LIRI. Dhe kur e kuptuam se e tepruam, e qepëm në mirebesim. Ishin fundvitet 80 dhe goja na qe hapur per dreq… E mbaj mend atë ditë. U kthyem pa folur nje fjale. Qe nje pakt i habitshem mes nesh. E mbaj mend shume mire ate darke buze detit. Ndofta foli deti, jo ne… Pas vitit 1990 i mbeti besnik po librit, po poezisë, madje ngriti edhe një biznes botimesh nën emrin domethënës “Milosao” si dhe një medie elektronike që i shërbeu iluminimit të qytetit dhe banorëve të tij. Si kredo poetike e vëllimit të tij të fundit “Pluhuri i artë i përjetësisë”, për të cilin shkrova dhe botova edhe një artikull, përveç detit të pranishëm gjithkund, përveç fëmijërisë me vrapin e pafaj të ëndrrave e lodrave, afërmendsh edhe të Sarandës, dalloja vlerën dhe epërinë poetike të tij. Dhe pikërisht me poezinë “Sa herë më është dashur”, ai sikur bën sintezën e jetës, karakterit e mendjes së tij të bukur. Dhe në këtë ikje drejt amëshimit, dua Agim i dashur, mik i shtrenjtë, i aq shumë bisedave, i aq shumë kujtimeve, që ta shushurijmë së toku me një zë vargun tënd brilant, ashtu si në një psalm mbarëqytetës, dhe ndofta ta shushurijmë së toku si fjalë qielli e si pluhur i artë poetik, siç ti e thua, mbi banesën tënde të përjetshme:

“Sa herë më është dashur të bëj betime,/ kam vënë në be kokën e nënë sime;/ kam vënë në be pa u trembur këtë truall,/ këtë bukë që me lot e kam gatuar;/ këtë këngë që e mbartja mbi supe si Sizifi,/ e ma shembnin në humnera dhe e ngrija sërishmi./ Më është dashur të bëj be për dritën e syve të mi,/ për nderin që të parët më janë bërë fli./ Për hapat që ime bijë sapo ka hedhur,/ për vatrën ku zjarri i vatrës rri i ndezur./ Më është dashur… edhe be të rëndë kam bërë,/ se rëndë më/ ka peshuar fjala e dhënë./ Dhe nëse do të vdes pa e mbajtur fjalën,/ si në baladë do të shihni të ringjallem…”.