Tenderimi i Portit të Vlorës/ PD kallëzon në SPAK ministren Belinda Balluku

Partia Demokratike e Vlorës kallëzoi sot në SPAK ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukun, për shkelje në procedurën e tenderimit të Portit të Vlorës. Balluku akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas PD-së së Vlorës, Belinda Balluku ka skualifikuar në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin Publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim dhe gjithashtu ka pranuar ofertën e cila binte në kundërshtim me kriterin e përcaktuar në dokumentat standarte të tenderit.

“Me veprimet ose mosveprimet e kryera në procedurën e cituar më lartë janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.