Sarandë, polica vë në pranga 2 persona, kapen duke mbushur detin me inerte

Policia vë në pranga 2 shtetas, të cilët në mënyrë të kundërligjshme kishin mbushur një pjesë ujore në bregun e detit në lagjen nr. 4 Sarandë, me qëllim ndërtimin e një moli.

Policia e Sarandës, në bashkëpunim me IKMT, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, bazuar edhe në denoncimet e bëra nga qytetarët se dy shtetas po mbushnin hapësirën ujore në afërsi në bregut të detit, duke hedhur inerte në mënyrë të kundërligjshme,kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:

F. M., 40 vjeç dhe I. B., 56 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Sarandë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi F. M. kishte marrë një kamion që drejtohej nga shtetasi I. B. dhe nëpërmjet tij po mbushte një hapësirë ujore në afërsi të bregut të detit, me qëllim ndërtimin e një moli.

Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme .