Konispoli, vatër e zhvillimit bujqësor, falë punës së fermerëve

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Mursi, Konispol, e cila falë investimeve të qeverisë është kthyer në një vatër të zhvillimit bujqësor.
Investimi kryesor që i ka dhënë hov zhvillimit të bujqësisë për gjithë këtë zonë është rikonstruksioni i kanalit të Janjarit, një vepër madhore ku janë rikonstruktuar 60 kilometër kanal që fillon nga liqeni i Janjarit deri në Konispol dhe përmirëson me vaditje 4500 ha tokë, nga 1200 ha që kanë qenë më parë.
Gjithashtu, ky investim shërben si valvul sigurie për fermerët, sepse zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi me përmbytjet.

“Kush e bëri? E bëri Saliu? Po e realizon ëndrrën e vjetër të komandantit tënd të parë: t’i qepemi maleve dhe kodrave t’i bëjmë toka pjellore”, iu drejua Rama zv.ministrit të Bujqësisë, Dhimo Kote.

“E thamë atë, këtë vepër madhore e bëri Edi Rama. Kishte pa u prekur nga viti 1988-1989 kur mbaroi dhe investimi nuk është vetëm për gjithë këtë sipërfaqe, por u rehabilitua porta, argjinatura, shkarkuesi dhe sot është në 16 milionë m3 ujë i mbushur plot dhe derdhet nga shkarkuesi. Ndërkohë shëtitorja përgjatë digës duhet të vazhdojë më tutje për ta kthyer në pedonale”, tha Kote.

Kote tha se “nëse më parë këtu kishim gjithsej të mbjella 30 mijë pemë frutore, sot ne kemi rreth 1 mijë ha dhe kemi rreth 500 mijë pemë që prodhojnë rreth 40 mijë ton mandarina dhe portokalle”.

“Bujqësia po zhvillohet. Po marr shembull dy pika grumbullimi që manipulonin nga 6 mijë dhe 7 mijë tonë dhe eksportonin. Sot ato eksportojnë 22 mijë tonë secila”, tha ai.

Kote tha se “bujqësia nuk zhvillohet vetëm duke u dhënë ndihma fermerëve, por duke bërë unazat bujqësore, kanalet kulluese si kjo vepër që është 60 kilometra tubacion dhe kanal me vlerë 10 milionë dollarë dhe do të ujisë 4500 ha tokë”.

“Bujqësia zhvillohet edhe përmes situatës së uljes së kostos dhe të farërave më të mira. Ndërhyrja që është bërë për uljen e kostos dhe puna që është bërë për TVSH-në e inputeve bujqësore dhe dhënien e gjysmës së çmimit të naftës nga 1600 lekë në 700 lekë do të bëjë që fermeri të marrë naftën për sipërfaqe”, tha Kote.

Ai theksoi se sot janë 20 500 fermerë që kanë aplikuar për naftën online. “Se thonin ne jemi fshatarë dhe nuk dimë të aplikojmë online, por ka ardhur koha e fshatarëve tani dhe ne kemi gjetur mbështetjen e Edi Ramës”.

“Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, ju ka ardhur katundari më i gjatë në krye dhe ju mbështet. E dyta, është edhe pjesa tjetër. Ju kujtohet kur ecnim në Shqipëri si ishin të gjitha autostradat me ato tendat që shisnin rrugëve?

Ku i ke tani? Tek-tuk ndonjë, sepse janë 183 pika grumbullimi me kushte optimale, shumica e tyre frigoriferike dhe ja ku është produkti shkon në pikën e grumbullimit bëhet loja me tregun dhe shitet kur do ti”, tha Rama.
Parajsë të natyrës dhe zhvillimit e cilësoi sot Konispolin, Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se “kush do të dijë çfarë bëhet në Shqipëri në bujqësi të zbresë këtu poshtë dhe të marrë frymë thellë, falë gjithë punës së jashtëzakonshme të fermerëve këtu, por edhe falë mbështetjes sonë”.

“Në Konispol, me disa nga punëmëdhenjtë e kësaj parajse bujqësore e blegtorale shqiptare”, tha Kryeministri, ndërsa theksoi se, “flet vetë puna, transformimi dhe shifrat”.

“Ka njerëz plot që thonë se në fshat nuk ka bukë, në fshat nuk hahet, ja sjellin Edi Ramës ushqimet nga ato që kanë ruajtur për ditë të këqia; ai ulet ha atje, po njerëzit nuk kanë të hanë vetë, u ha byrekun që e kanë për javën tjetër, u ha qepët që i kanë ruajtur për sëmundje”, ironizoi Rama, ndërsa drekoi me disa prej fermerëve të zonës.