Kishin humbur rrugën në Llogara, Policia i vjen në ndihmë çiftit të turistëve holandezë
Një çift turistësh holandezë janë shpëtuar nga Policia dhe Delta Forca e Vlorës, pasi prej ditës së djeshme kishin humbur kontaktet dhe rrugën në Llogara.
“Shërbimet e policisë në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, pas marrjes së njoftimit se një çift turistësh hollandezë, kishin humbur kontaktet, rrugën dhe orientimin një ditë më parë dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishin të pamundur kthimin mbrapa, menjeherë kanë nisur kërkimet që prej mbrëmjes së djeshme.
Kërkimet kanë vijuar deri në mesditën e sotme.
Si rezultat i kërkimeve të pandërprera, u bë i mundur lokalizimi dhe marrja e kontaktit me dy turistët në vendin e quajtur “Qafa e thellë”, Llogara. Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në Parku e Llogarasë”, njofton Policia.
Fatmirësisht, turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar shërbimet e kërkimit që iu erdhën në ndihmë.