Gjyqtari Sarandës Sokol Pina drejt konfirmimit në detyrë

Nga Edmond Hoxhaj, BIRN

Gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Sokol Pina u përball të premten më 23 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatës seancës dëgjimore u njoh me rezultatet e hetimit për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Pina kryesohet nga Firdes Shuli, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm, Theo Jacobs.

Sokol Pina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe punoi fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Prej vitit 2015, ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Sarandë, ndërkohë që në nëntor të vitit 2020 është deleguar në Apelin e Gjirokastrës.

Në seancën dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej të tri kritereve të rivlerësimit.

Relatori Hamitaj tha se gjyqtari Pina ka pasur burime të ligjshme për shpenzimet e kryera gjatë periudhës së rivlerësimit, konkretisht për blerjen e një autoveture tip Ford Focus në shumën 800 euro + 46 mijë lekë për zhdoganimin dhe 70 euro takes regjistrimi; për pagesat e qirasë mujore në shumën 10 mijë lekë për një shtëpi në përdorim në Sarandë, si dhe për shpenzimet e jetesës.

Komisioni e ka shtrirë hetimin edhe në vitet e mëvonshme, ku në vitin 2020 ka rezultuar se gjyqtari Pina ka blerë një automjet tip Toyota në shumën 5700 euro, si burim krijimi së të cilës ka deklaruar kursimet nga pagat.

Nga analiza financiare është konstatuar fillimisht një pamundësi financiare në shumën 127 mijë lekë, por Hamitaj tha se pas dërgimit të provave dhe shpjegimeve nga subjekti kjo balancë negative “duket se do të zerohet”.

Gjyqtari Pina deklaroi në seancë se rezultati negativ kishte rezultuar pasi KPK nuk kishte përllogaritur gjithë pagat deri në momentin e blerjes së mjetit. “Nëse do të përllogariten të gjithsa pagat që kam marrë deri në momentin kur kam blerë autoveturën, atëherë rezultoj me balancë poszitive”, theksoi ai.

Gjyqtari Pina u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për aspektin profesional.

Ai u pyet gjatë seancës dëgjimore nga Hamitaj për një vendim civil lidhur ku trajtohej vlefshmëria e një akti të Komisionit të Tokës i vitit 1994.

Sipas Hamitajat, Pina nuk kishte ndërmarrë gjithë hapat për të orientuar palët, por shtoi se vendimi i subjektit ishte lënë në fuqi nga Apeli.

Gjyqtari Pina shpjegoi se kishte kryer të gjitha detyrat e lëna nga një vendim i mëparshëm i Apelit dhe se kjo ishte konstatuar edhe nga vendimi i dytë i shkallës së dytë, që e kishte lënë në fuqi vendimin e tij.

Pina shpjegoi se gjykata nuk mund të orientonte palët në gjykim, ndërkohë që në vendimin e parë të Apelit ishte dhënë orjentimi. Ai theksoi se edhe Apeli kishte konkluduar në të njëjtën mënyrë si kishte arsyetuar edhe vetë dhe se nuk kishte shkelur asnjë dispozitë ligjore.

Në fund të seancës gjyqtari Sokol Pina falënderoi Komisionin për hetimin e kryer dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 27 prill, në orën 09:30.